Ndotja e ajrit vret 1 200 fëmijë në vit në Europë

by admin
Spread the love

Ndotja e ajrit shkakton vdekjen e më shumë se 1 200 personave nën moshën 18 vjeç në Europë çdo vit, sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA).

“Fëmijët janë veçanërisht të prekshëm ndaj ndotjes së ajrit, që nga momenti kur janë në mitër deri në moshën madhore”, tha agjencia me bazë në Kopenhagë, duke shtuar se ajri i ndotur i vë fëmijët në rrezik më të lartë për të patur sëmundje kronike edhe në moshë madhore.

Ekspertë të EEA-s, thanë se emetimet nga transporti, industria dhe ngrohja duhet të ulen më shpejt.

Një masë praktike është përmirësimi i cilësisë së ajrit në shkolla dhe kopshte, për shembull duke krijuar më shumë hapësira të gjelbra.

Sipas të dhënave në raport, në fakt, pak më shumë se 10% e sipërfaqeve të gjelbra ndodhen në një rreze prej 300 metrash nga shkollat. Vetëm 6% e strukturave janë të mbuluara me pemë.

Shkollat ​​me mjedisin më të gjelbër gjenden përgjithësisht në vendet e Europës Veriore.

“Pavarësisht përmirësimeve në vitet e fundit, nivelet e ndotësve kryesorë në shumë vende evropiane mbeten mbi kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)”, sipas raportit të EEA-s.

You may also like