Ndërron jetë Monica Vitti, ‘mbretëresha e kinematografisë italiane’

by admin
Spread the love

Monica Vitti, një ikonë e ekranit italian ka vdekur të mërkurën në moshën 90-vjeçare, sipas disa raportimeve që janë bërë në Itali.

Lajmi është konfirmuar nga shkrimtari, regjisori dhe politikani, Walter Veltroni, në emër të bashkëshortit të Vittit, Roberto Russo.

Aktorja e famshme, e njohur më së shumti për filmat, duke përfshirë “L’Avventura” (1960), “Red Desert” (1964), “L’Eclisse” (1962) dhe “La Notte” (1961), ishte duke luftuar me sëmundjen e Alzheimerit për dy dekada.

E lindur Maria Luisa Ceciarelli më 3 nëntor 1931, në Romë, Vitti luajti në produksione amatore si adoleshente dhe më pas u trajnua në Akademinë Kombëtare të Arteve Dramatike të Romës.

Aktorja fitoi famë globale pas bashkëpunimeve spektakolare me regjisorin legjendar, Michelangelo Antonioni në fund të viteve 1950 dhe fillim të viteve 1960.

Ajo vazhdoi të luajë në “La Notte” me Jeanne Moreau dhe Marcello Mastroianni dhe “L’Eclisse” me Alain Delon. Çdo film konsiderohet një klasik më vete.

Pasi punoi me Antonionin, Vitti ndryshoi fokusin dhe filloi të bënte komedi, duke punuar me regjisorin Mario Monicelli në një sërë filmash.

Vitti fitoi pesë çmime për ‘Aktoren më të Mirë’, shtatë ‘Golden Globes’ në Itali dhe u nominua në BAFTA.

Në vitin 2000, Vitti u martua me pianistin dhe kompozitorin italian, Roberto Russo, me të cilin ishte në një lidhje që nga viti 1973.


You may also like