Nderimi që iu bë Abazoviçit në Kosovë – Shqip

by admin
Spread the love

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti kryeministrin në mandatin teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në kuadër të një vizite disaditore të këtij të fundit në Kosovë.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve u vlerësuan të shkëlqyera dhe bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre, njoftoi Presidenca e Kosovës.

Osmani përshëndeti të premten Marrëveshjen e nënshkruar për trafikun ajror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Ajo theksoi se Kosova dhe Mali i Zi kanë të njëjtat pikëpamje për rëndësinë e integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit, si garanci e paqes dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë

Presidentja e Kosovës tha se Mali i Zi është vend mik dhe partner i Kosovës, duke shprehur bindjen se do ta mbështesë edhe më shumë Kosovën në përpjekjet e saj për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, për çka mori mbështetjen e Abazoviçit.

Në takim u bisedua për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Osmani ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit i trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e marrëdhënieve ndërshtetërore, edhe pse “Serbia vazhdon të pengojë zbatimin e marrëveshjes”.

Pavarësisht kësaj, Kosova do të mbetet në koordinim me aleatët ndërkombëtarë sa i përket zbatimit të marrëveshjes, pasi është e përkushtuar për paqe të qëndrueshme, siguri dhe stabilitet.

Gjithashtu në takim u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë një urë e fuqishme që lidh dy vendet.

Takim me komandantin e misionit të NATO-s

Osmani dhe Abazoviç diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e shkëmbimit ekonomik, tregtisë, turizmit, arsimit dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.

Të shtunën, Abazoviç është takuar në selinë e KFOR-it me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, gjeneralin italian Angelo Ristucci.

Abazoviç theksoi se Mali i Zi është i përkushtuar për stabilitetin rajonal dhe paqen në Ballkanin Perëndimor, njoftoi kabineti i tij.

Ai ka thënë se është krenar për ushtarët malazezë që janë pjesë e misionit të KFOR-it dhe që kontribuojnë në atë drejtim.

Ristucci vlerësoi Malin e Zi për zbutjen e situatave të mundshme të rrezikshme.

Ai tha se vlerëson kontributin e atij vendi në misionin e KFOR-it dhe theksoi se ushtarët malazezë janë “jashtëzakonisht profesionistë”.

Abazoviçit, “Çelësi” i qytetit të Prishtinës

Në selinë e KFOR-it, Abazoviç ka biseduar me ushtarët malazezë që janë në detyrë në atë mision.

Abazoviç u takua të premten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, të cilët i kanë dorëzuar çelësin e qytetit.

Abazoviç, i cili ndodhet në Kosovë me ftesë të Aleancës Kosovare të Biznesit, ndër të tjera ka vizituar edhe kolegjin privat Univerzum, ku është promovuar libri i tij “Kritika e Etikës Globale”.

Në një ceremoni të veçantë në atë kolegj, Abazoviçit iu dha doktoratura e nderit “Doctor Honoris Causa”. /tesheshi.com/

You may also like