MYNIH – Zelensky: Të veprojmë tani për të ndaluar Putinin

by admin
Spread the love

MYNIH, 17 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje  sot aleatëve të vendit të tij, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që të rrisin mbështetjen në luftën kundër pushtimit rus.

”Nëse nuk veprojmë tani, Putini do të ketë sukses t’i kthejë vitet e ardhshme në një katastrofë”, tha presidenti ukrainas në konferencë.

Komentet e Zelensky erdhën pas fjalimit të kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili u bëri thirrje partnerëve të BE-së që të ndjekin shembullin e Berlinit dhe të rrisin ndihmën për Ukrainën, duke thënë se është në interesin e sigurisë së shteteve anëtare për ta bërë këtë.

Për vitin aktual, Gjermania ka pothuajse dyfishuar ndihmën e saj ushtarake në më shumë se 7,1 miliardë euro.

“Ne evropianët duhet të kujdesemi shumë më tepër për sigurinë tonë – tani dhe në të ardhmen”, tha Scholz.

Komentet e tij vijnë pasi ai nënshkroi një pakt afatgjatë sigurie me Ukrainën të premten dhe premtoi armë shtesë me vlerë rreth 1,1 miliardë euro për mbrojtjen e saj kundër Rusisë, në një shfaqje të qartë të mbështetjes nga Berlini ndërsa Kievi përgatitet për vitin e tretë të luftës me Rusinë.

Më vonë të premten, Franca ndoqi shembullin dhe nënshkroi një marrëveshje të ngjashme sigurie me Ukrainën.

Zelensky falënderoi Scholzin për paktin e ri të sigurisë, duke paralajmëruar se sa më gjatë të vazhdojë lufta në Ukrainë, aq më i lartë është rreziku i përhapjes së saj si dhe dëmtimi i mëtejshëm i rendit ndërkombëtar./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like