MYNIH – Borrell: BE-ja të zgjerojë masivisht aftësitë e saj mbrojtëse

by admin
Spread the love

MYNIH, 16 shkurt /ATSH-DPA/ – Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell deklaroi se blloku duhet të zgjerojë masivisht aftësitë e tij parandaluese dhe mbrojtëse, sepse kontinenti mund të mos jetë gjithmonë në gjendje të mbështetet tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai tha se Bashkimi Evropian për dekada ka qenë “shumë i kënaqur” nën “ombrellën e sigurisë” të ofruar nga Uashingtoni.

“Epo, ombrella amerikane ndoshta nuk do të jetë e hapur gjatë gjithë kohës”, tha ai në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, një mbledhje vjetore e zyrtarëve të lartë politikë dhe të mbrojtjes në kryeqytetin bavarez.

Ai tha se ndoshta BE-ja “do të duhet të jetë më autonome” se sa ishte mësuar.

Borrell la të hapur faktin nëse beson se Evropa duhet të përqafojë një sistem të ri të parandalimit bërthamor.

Evropa u trondit nga komentet e fundit të kandidatit për president të SHBA-së, Donald Trump, se Rusia duhet të bëjë çfarë të dojë me anëtarët e NATO-s që nuk përmbushin angazhimet e tyre financiare.

Janë të freskëta kujtimet e skepticizmit të Trump ndaj aleancës transatlantike gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.

Ai provokoi irritim në vitin 2017 kur e quajti NATO-n “të vjetëruar” dhe shpesh akuzonte se SHBA po paguante një pjesë të padrejtë si anëtare./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like