Myku dhe gropat “mbulojnë” objektin e gjimnazit në Fushë-Kosovë (VIDEO)

by admin
Spread the love

Ka më shumë se një dekadë që në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” nuk është investuar asnjë cent, ani pse kërkesa të shumta kishin shkuar në Drejtorinë e Arsimit në Fushë Kosovë.
Mbi 600 nxënës ndjekin mësimin në gjimnazin e vetëm të kësaj komune, por kushtet janë larg minimales për t’u zhvilluar proces i rregullt mësimor.

Kabinetet, megjithëse të pajisura me mjetet adekuate, rrezikojnë të prishen nga lagështia, raporton Kiks Kosova.

Këtë e dëshmon edhe kjo kovë e vendosur në mes të klasës, qëllimi i së cilës është grumbullimi i ujit që pikon nga çatia sa herë që ka të reshura atmosferike.

Por para së të hysh në këtë kabinet, ajo çka bie në sy është dera e prishur.

Të njëjtin fat dhe në situatë të njëjtë ndodhen edhe klasat e tjera, ku mbahet mësimi çdo ditë.

Dysheme të prishura mund të hasesh në secilën prej klasave, madje të krijojnë përshtypjen e rrugëve të prishura.

Kreativiteti i nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle shfaqet edhe me format që kanë zgjedhur për t’i mbuluar gropat në dyshemetë e klasave të tyre.

E përveç kësaj, nxënësit e këtij gjimnazi çdo ditë mbajnë mësimin në klasat, ku kundërmimi i mykut të lagështisë është i pranishëm.

Madje edhe muret e klasave duket se janë “veshur” me gjelbërim si pasojë e mykut.

Shkaktari i kësaj lagështie vjen nga tualetet e shkollës, që janë të prishura pothuajse në tërësi.

E vetmja pjesë funksionale në këto tualete është vendi i larjes së duarve, të cilat po mirëmbahen nga mjetet vetanake të punonjësve të gjimnazit.

Privatësia në këto tualete është e pamundur. Ndërsa ato tualete, në të cilat mund të ruhet privatësia, nuk kanë ujë.

Hiç më mirë nuk qëndron as salla e profesorëve. Edhe aty dyshemeja është prishur.

E pavarësisht gjithë këtyre halleve, drejtori i këtij institucioni, Amir Pllana, nuk ka pranuar të flasë për Kiksin.

Megjithatë, ai ka referuar që përgjigjet t’i kërkojmë në Drejtorinë e Arsimit në Fushë Kosovë.

Arsyetimi i kësaj drejtorie për faktin e mosinvestimit është me atë që kishin planifikuar ndërtimin e dy shkollave të reja. Fadil Krasniqi theksoi se me rishikim të buxhetit do të investohet në gjimnaz. /Klankosova.tv

You may also like