MV – Parlamenti voton propozimin francez për hapjen e negociatave

by admin
Spread the love

SHKUP, 13 korrik /ATSH/ – Parlamenti maqedonas do të votojë nesër propozimin francez, ndërkohë që kjo seancë u përcaktua pasi qeveria dërgoi atje një pjesë të dokumenteve në lidhje me këtë propozim.

Kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi për të njëjtën ditë, gjysmë ore para fillimit të kësaj
seance, ka përcaktuar edhe paraqitjen që do të ketë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në seancën që fillon në orën 13:30, deputetët duhet të debatojnë për informacionin për përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese për fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, të propozuar nga ana e presidencës së Francës me Këshillin e Bashkimit Evropian, më 30 qershor.

Qeveria thotë se propozimi francez është i mirë dhe se duhet të pranohet për të hequr veton bullgare dhe për të zhbllokuar procesin e eurointegrimit të vendit.

Opozita është me qëndrim të kundërt, ndërsa mospublikimi i protokollit dhe përmbajtjes së tij, hedh dyshime shtesë në atë se çfarë po bënë qeveria.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani vlerësoi se është e pabazë frika për bullgarizimin e vendit dhe se bëhet fjalë për spekulime që përdoren që dikush të fitojë pikë politike.

Osmani nënvizoi se nuk ka asnjë bullgarizim apo imponim dhe askush nuk mund t’i ndryshojë tekstet shkollore.

Sipas tij ”logjika që të mbetemi të bllokuar që Bullgaria të mos na bllokojë në të ardhmen është një qasje irracionale”.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së në opozitë, Hristijan Mickoski konsideron se ”protokolli ende nuk është publikuar dhe nuk dihet se çfarë përmban” dhe se ”qeveria po përpiqet në mënyrë kontrabandë për të miratuar propozimin francez”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like