MSh-ja ndan 500 mijë euro për vizitat te shtatzënat dhe fëmijët deri në 3 vjeç në Prishtinë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mori pjesë në programin “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët deri tri vjeç” në Prishtinë me ç’rast bëri të ditur se kanë ndarë gjysmë milioni euro.

Vitia tha se ky projekt ka nisur për herë të parë vitin e kaluar në kuadër të grantit specifik për shëndetësinë primare ka buxhetuar 3.4 milionë euro, njofton Klankosova.tv.

Nga ky grant, Komuna e Prishtinës do të përfitojë rreth gjysmë milion euro për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

“Ministria e Shëndetësisë e udhëheq këtë program me mbështetje logjistike nga UNICEF-i. Jam i lumtur që nga sot pjesë e projektit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0–3 vjeç bëhet edhe Komuna e Prishtinës e cila ofron një gamë të gjerë shërbimesh në kujdesin parësor për një numër të madh banorësh. Rëndësia e këtij projekti qëndron edhe në preventivën e sëmundjeve në moshë të hershme”, tha ministri Vitia, i cili i falënderoi përzemërsisht UNICEF-in dhe qeverinë e Luksemburgut për përkrahjen e vazhdueshme në sektorin e shëndetësisë.

Ai theksoi se Qeveria përmes komisionit të granteve ka ndarë në total në grantin për shëndetësi në komuna rreth 72 milionë euro, nga i cili grant do të përfitojë edhe Komuna e Prishtinës.

“Mirëqenia dhe shëndeti i qytetarëve është fokusi ynë kryesor, është qëllimi që na bashkon të gjithëve dhe si Qeveri jemi të hapur për çfarëdo lloj ndihme në të ardhmen që e përmirëson jetën e qytetarëve. Sot të gjithë bashkërisht duhet të funksionojmë si një trup i vetëm për ta çuar shëndetësinë në një nivel tjetër. Asnjë ndasi e çfarëdo natyre nuk është më e rëndësishme sesa shëndeti publik që mbetet qëllimi ynë i përbashkët”, tha Vitia.

Vitia, mes tjerash, tha se MSh-ja në kuadër të Planit Strategjik brenda këtij vitit parasheh 41 milionë e 67 mijë euro për avancimin e infrastrukturës në shërbimet spitalore dhe klinike shëndetësore.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili falënderoi të gjithë kontribuuesit duke thënë se ky program është shumë i rëndësishëm për kujdesin parësor, veçanërisht për foshnjat dhe gratë shtatzëna. Ai falënderoi edhe infermierët që janë bartësit kryesorë të këtij projekti.

Në një fjalë rasti të pranishmëvë ju drejtuan edhe shefja e zyrës së UNICEF për Kosovë, znj. Nona Zicherman dhe ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.

 

You may also like