Monte Carlo, eliminohet kampioni në fuqi dhe tenisti më në formë i momentit

by admin
Spread the love

Edicioni i 116 i turneut të Monte Carlo-s vazhdon të prodhojë surpriza të mëdha e pas eliminimit të beftë ditën e enjte të numrit 1 të botës Novak Djokoviç në ditën e pestë të aktivitetit të sivjetshëm në Principatë u mundën gjithashtu edhe kampioni në fuqi Stefanos Tsitsipas si dhe tenisti më në formë i vitit 2023 Daniil Medvedev.

24-vjeçari nga Athina kishte triumfuar në dy sezonet e fundit në Roquebrune – Cap – Martin duke mposhtur në finale në vetëm dy sete kundërshtarë të tillë si Andrey Rublev e Alejandro Davidovich Fokina, megjithatë këtë herë sportisti grek u rrëzua që në fazën çerekfinale, teksa u mund nga amerikani Taylor Fritz. Numri 10 në planet nuk ka fituar kurrë një aktivitet në fushë dheu, sidoqoftë në Monte Carlo 25-vjeçari kalifornian ia doli mbanë për të mundur numrin tre në rruzull Stefanos Tsitsipas, për më tepër në vetëm dy sete.

Sportisti helen u paraqit në fushën qendrore me tre fitore në po kaq përballje ndaj tenistit nga Shtetet e Bashkuara, gjithsesi këtë radhë ndeshja ndërmjet tyre nuk pati fare histori, pasi Taylor Fritz luajti plot besim duke dominuar pothuajse gjithë takimin. Falë cilësive të tij Tsitsipas konsiderohet si një ndër tenistët më të fortë në qarkullim në clay court, megjithatë këtë herë sportisti ballkanas pati probleme të mëdha në shërbim dhe për rrjedhojë Taylor Fritz doli shpejt në lojën e tij, për t’u shkëputur që në fillim të takimit.

Tenisti amerikan e theu dy herë në servis rivalin e tij, për të udhëhequr menjëherë në shifrat 4-0, ndërsa më pas numri tetë i turneut administroi me qetësi epërsinë e krijuar për të mbyllur llogaritë e setit hapës në thjesht gjysmë ore lojë me rezultatin 6-2. 4 nga 9 turnetë e siguruar në karrierë Stefanos Tsitsipas I ka fituar në dhe të ngjeshur, në Estoril, Monte Carlo dhe Lyon, e për hir të së vërtetës në setin pasardhës sportisti grek e përmirësoi ndjeshëm lojën e tij. Ekuilibri vijoi në setin e dytë deri në shifrat 3-3 sepse në atë moment Fritz i rrëmbeu shërbimet rivalit të tij, për të siguruar avantazhin e një seti dhe të një game me break, gjithsesi Tsitsipas reagoi shpejt me kundërbreak për të barazuar sërish rezultatin.

Ky rezultoi game i parë dhe i fundit me break i marrë nga Tsitsipas në këtë ndeshjes, pasi në vijim sportisti kalifornian e mblodhi menjëherë veten për ta ndëshkuar për herë të katërt në këtë takim Tsitsipas-in në servis. Përfundimisht Taylor Fritz mbylli gjithë ndeshjen me rezultatin 6-2, 6-4 në afërsisht 70’ lojë dhe në raundin gjysmëfinal ai do të masë forcat me rusin Andrey Rublev.

Tenisti moskovit kryesonte 4-3 bilancin e përgjithshëm ndaj gjermanit Jan-Lennard Struff, por sidoqoftë 32-vjeçari nga Westfalia që ka rrëshqitur në pozicionin e 100 në klasifikimin e përgjithshëm ATP ia kishte dalë mbanë për ta mposhtur sportistin nga Shtetet e Bashkuara dy herë në Slam-in Francez në Roland Garros. Struff e nisi takimin me break duke e filluar këtë sfidë në mënyrën më të mirë të mundshme, megjithatë Rublev reagoi menjëherë me kundërbreak.

Ndonëse ka triumfuar në shumë turne Challenger në fushë dheu përgjatë karrierës Struff nuk është në lartësinë e tenistit rus në këtë lloj sipërfaqe e në fakt 25-vjecari moskovit që renditet i gjashti në botë respektoi parashikimet për të përfunduar takimin me shifrat 6-1, 7-6 në 1h 40’ lojë. Me plot 27 fitore në 28 sfidat e fundit Daniil Medvedev me të drejtë konsiderohej si tenisti më në formë, gjithsesi këtë herë numri pesë në planet u mund bindshëm që në turin çerekfinal nga danezi Holger Rune, i cili ndonëse akoma adoleshent është katapultuar që tani në dhjetëshen e parë të botës. 27-vjeçari moskovit u paraqit në Principatë me plot pesë finale radhazi, duke triumfuar rresht në Rotterdam, Doha e Dubai, ndërsa më pas në Miami.

Të vetmen disfatë gjatë kësaj periudhe sportisti i mirënjohur rus e kishte pësuar në finalen e Mastersit Kalifornian në Indian Wells me spanjollin Carlos Alcaraz. Para se të vinte në Monte Carlo Medvedevi ishte tenisti që kishte grumbulluar më shumë pikë gjatë këtij sezoni 3.040 por njëkohësisht edhe tenisti me më tepër para të fituara gjatë vitit 2023 3,27 milionë dollarë, gjithsesi në Court Central 19-vjeçari nga Copenhageni e mundi lehtë 6-3, 6-4 raketën e tretë të turneut në thjesht 1h 18’ lojë.

Në fazën gjysmëfinale Holger Rune do të përballet me numrin tetë të botës Jannik Sinner, i cili në takimin përmbyllës të ditës dominoi derbin italian ndaj bashkëkombasit të tij Lorenzo Musetti. 21-vjecari toskan shkaktoi befasinë më të madhe, teksa ditën e enjte përmbysi disavantazhin e setit hapës për të eliminuar tenistin e famshëm nga Serbia Novak Djokovic, që në Monte Carlo krenohej me dy tituj të fituar dhe dy finale të humbura.

Natyrisht numri 21 në rruzull vuajti lodhjen e atij dueli të ashpër që zgjati afërsisht tre orë e për pasojë ndaj Sinner-it Musetti mezi bëri katër game bashkë dhe në mënyrë të kuptueshme pa Rafën, Nolen, grekun Tsitsipas që ishte kampioni në fuqi apo dhe rivalët e tjerë si Carlos Alcaraz e Casper Ruud 21-vjecari nga Tiroli I Jugut tani I ka të gjitha mundësitë për të fituar edhe turneun e parë Masters në karrierë./ Super Sport


Top Channel

You may also like