Miqësorja me Katarin/Kallaku & Hakaj: Shans për lojtarët e Abissnet Superiore, duam rezultat pozitiv

by admin
Spread the love

Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në Spanjë për miqësoren që do të luhet sot ndaj Katarit. Kuqezinjtë janë grumbulluar që ditën e shtunë në Durrës dhe kanë zhvilluar seancat stërvitore sipas programit për të qenë në formë sa më optimale për miqësoren e parë të nëntorit.

Atmosfera është pozitive në kampin kuqezi dhe këtë e konfirmojnë edhe lojtarët, që e shohin këtë test si një shans shumë të mirë, veçanërisht për lojtarët e kampionatit “Abissnet Superiore”.

Mesfushori Sherif Kallaku, duke folur për Fshf.org nga Marbella e Spanjës, shprehet i lumtur rikthimin e tij me ngjyrat kuqezi, teksa vlerëson ambientimin e shpejtë të grupit dhe shpreson shumë në një rezultat pozitiv ndaj Katarit.

“Jam shumë i lumtur për rikthimin tim në Kombëtare. Ky në fakt është grumbullimi i dytë i Kombëtares që është bërë me lojtarë kryesisht nga Abissnet Superiore. Atmosfera është shumë e mirë dhe për fat të mirë të gjithë lojtarët njihen me njëri-tjetrin dhe ambientimi në grup është shumë i lehtë. Uroj shumë që të marrim një rezultat pozitiv në këtë miqësore të radhës. Normalisht është një test shumë i mirë për ne, sepse nuk duhet ta shohim si një ndeshje miqësore, por si një ndeshje të vërtetë e zyrtare e që do të na japë mundësi të na tregojë se ku jemi, sidomos për ne lojtarët e kampionatit shqiptar. Shpresoj shumë që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë”, tha Sherif Kallaku.

Edhe për mesfushorin shkodran, Esin Hakaj, është kënaqësi e madhe ftesa në Kombëtare dhe e sheh testin e radhës si një mundësi për të treguar potencialin e tij. Hakaj shpreson që ky grumbullim ta ndihmojë që t’i japë mundësi edhe në të ardhme për t’u grumbulluar sërish me Kombëtaren.

“Sigurisht ndihem mirë kur të thërret Kombëtarja, është një ndjesi e mirë dhe çdo lojtar mezi e pret këtë ftesë. Atmosfera është shumë e mirë normalisht, do të mundohemi që të japim më të mirën në mënyrë që të kemi kënaqësinë të marrin sërish ftesën nga Kombëtarja A. Do të jetë një ndeshje që do ta shërbejë shumë të gjithëve, jam i bindur se do të bëjmë maksimumin. Grumbullimi në Kombëtaren A është diçka shumë pozitive për çdo lojtar nga kampionati shqiptar e që ka vlerë për karrierën dhe uroj që të na ndihmojë kjo ndeshje për të pasur edhe mundësi të tjera në të ardhmen me Kombëtaren”, – tha Hakaj.

You may also like