Ministrja Haxhiu ia kërkoi prokurorit, opozita tash ia kërkon asaj “dorëzimin”

by admin
Spread the love

Kërkesa e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj prokurorit që të tërhiqet nga aktakuza në rastin ku ajo akuzohet për hedhje të gazit lotësjellës në kuvend, ka bërë që të ketë reagime e kërkesa nga opozita drejt saj.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se kërkesa e Haxhiut ka qenë e tillë sepse qeveria aktuale sipas saj i do të dorëzuar të gjithë.

“’Dorëzohu, s’është vonë’ i paska thënë prokurorit e pandehura Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë. Sepse, ashtu, të dorëzuar i duan të gjithë. Të dorëzuar i duan mjekët, mësuesit, policët, prokurorët, mediat, shoqërinë civile, opozitën. Kjo mendësi nuk kalon në Kosovë”, ka shkruar Çitaku.

Nga PDK, ka qenë Koordinatori për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, që ka vlerësuar se ministrja Haxhiu ka bërë presion mbi prokurorinë në rastin e aktakuzës ndaj saj, transmeton KlanKosova.tv.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i paska bërë thirrje sot prokurorit të çështjes që të tërhiqet nga aktakuza kundër saj për hedhjen të gazit lotsjellës në Kuvend.  Kjo thirrje mund të dëgjohet vetëm në vende me regjime totalitare, e assesi në një vend me aspirata për integrim evropian”.

Nga partia e dytë opozitare, LDK, ka kërkesa që vetë Haxhiu të dorëzohet.

“NË EMËR TË POPULLIT, DORËZOHU”, nis postimi i deputetes, Doarsa Kica-Xhelili.

“Këta nuk duan drejtësi, duan dorëzim! Kryeministri Kurti nga sot ka përgjegjësi absolute të jap llogari për ÇDO DITË shtesë që Albulena Haxhiu e kalon në Ministri të Drejtësisë. Shtetet demokratike këtë gjuhë nga ekzekutivi ndaj institucioneve të drejtësisë nuk e tolerojnë. Nuk i kemi duruar më parë e nuk do ti durojmë as tash!”, ka shkruar Kica-Xhelili në profilin e saj në Facebook.

Për nënkryetaren e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, po të ndodhte një thirrje e ngjashme në ndonjë shtet demokratik, menjëherë do të pasonte dorëheqja ose shkarkimi.

“Por, kur nuk po shkarkohet ende ambasadori milioner Martini, pse me dhanë dorëheqje ministrja Haxhiu?! Kosova ka nevojë për prokurorë që NUK DORËZOHEN, posaqërisht kur kërcënohen nga ministra. Për të mirën e Kosovës!”, ka shtuar Lushaku-Sadriu.

Për deputetin tjetër të LDK-së, Besian Mustafa, do të duhej që Ministrja e Drejtësisë t’u bënte thirrje prokurorëve që të mos dorëzohen.

“Ministrja e Drejtësisë do të duhej t’i jepte një zyrtari të drejtësisë, një prokurori, kurajo ‘MOS u dorëzo para askujt, as para një ministreje; kryej detyrën tënde deri në fund’”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Familja jonë Mustafa kemi përvojë të hidhur, dëshpëruese, me drejtësinë në Kosovë. Por, shpresoj se zyrtarët tanë të drejtësisë KURRË të mos dorëzohen sepse shteti ligjor e i drejtë është obligim i secilit nga ne. Është detyra kombëtare, patriotizmi më i madh.MOS u dorëzoni, gra e burrë të drejtësisë, shkoni drejtësisë deri në fund! Për secilin qytetar, deputet, ministër, kryeministër, president, çkado”.

“Prandaj, ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza. Nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë”, ka deklaruar ministrja Haxhiu në seancën e mbajtur këtë të premte.

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

 

 

 

You may also like