Ministrja franceze akuzohet për përdhunim

by admin
Spread the love

Zyra e Prokurorit Publik të Francës ka bërë të ditur të mërkurën se ka nisur hetimet ndaj Sekretares së shtetit për Zhvillim dhe Frankofoni, Chrysoula Zacharapoulou, me dyshimin për përdhunim. Hetimi ka nisur pas pranimit të dy ankesave.

Ankesa e parë për përdhunim është paraqitur më 25 maj, derisa hetimet për këtë ankesë kanë nisur më 27 maj. Ankesa e dytë është paraqitur me 16 qershor, ka bërë të ditur Zyra e prokurorit, raportoi Reuters të mërkurën.

Zacharopoulou, kishte punuar si gjinekologe para se të hynte në politikë.

Mediat franceze kanë raportuar se ankesat ndaj saj janë të lidhura me aktivitetin profesional. Sipas tyre, bëhet fjalë për të ashtuquajturin përdhunim gjinekologjik, penetrim pa pëlqim gjatë një kontrolli mjekësor.

Një ministër tjetër i sapoemëruar, Damien Abad, tashmë përballet me presion të madh për shkak të akuzave për përdhunim, të bëra nga dy gra.

Mirëpo Abad i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se nuk po mendon të japë dorëheqje nga qeveria.

Akuzat ndaj dy ministrave e kanë shtuar presionin ndaj qeverisë së presidentit francez, Emmanuel Macron, në kohën kur koalicioni i tij nuk arriti të fitojë shumicën në zgjedhjet parlamentare.

Macroni tash është nën presion për të siguruar mbështetje nga rivalët për të përmbushur agjendën e reformave të qeverisë së tij.

Por as e djathta ekstreme e Marine Le Pen dhe as aleanca e majtë e Jean-Luc Melenchon nuk janë shprehur të interesuara të punojnë me të.

Qeveritë e pakicave janë një gjë e rrallë në Francë dhe aleanca e Macronit ka 44 vende më pak se shumica.

Rruga Press

You may also like