Interi bën rrotacion kundër Sasuolos, ndez motorët Kristjan Asllani

by admin
Spread the love

Kundër Torinos, Si mone Inzagi e kish te disi të detyrueshme që të zbriste në fushën e lojës titullarët, në mënyrë që “San Siro” të duartrokiste heronjtë e titullit kampion, por për transfertën me Sasuolon pritet të ketë ndryshime. Së pari për t’u dhënë shans dhe minuta lojtarëve që gjatë këtij sezoni nuk kanë pasur shumë mundësi për të treguar veten, por së dyti edhe për të lënë pak pushim lojtarët që kanë luajtur shumë dhe në këtë fund sezoni sigurisht që janë dukur të lodhur në fushën e lojës.

Në mendjen e trajnerit janë 4-5 ndryshime për sfidën kundër Sasuolos. Dilemat më të mëdha i ka në mesfushë, ku Kristjan Asllani kandidon për një fanellë titullari. Por le t’i marrim repartet me radhë. Në portë pritet që të jetë sërish Zomer, edhe pse ditën e djeshme nuk u stërvit me skuadrën për shkak të një gjendjeje gripale të lehtë. Ai qëndroi në shtëpi, por me shumë mundësi do të rikuperohet në kohë. Do të kërkojë ndeshjen e 19-të pa pësuar gol për t’ju afruar rekordit absolut në Serinë A (21) që e kanë Bufon dhe Provedel. Pavar do të pushojë dhe në vendin e tij do të luajë Bisek, ndërsa të detyruar për titullarë janë De Vraj dhe Bastoni.

Dimarko është i dëmtuar dhe Karlos Augusto duhet të luajë në krahun e majtë, kështu që nuk ka më qendërmbrojtës. Mund të luajë Bjukenën në anën e majtë për të spostuar brazilianin në qendër, por më logjike është që kjo gjë të ndodhë gjatë ndeshjes dhe jo që nga fillimi. Në krahun tjetër do të luajë Dumfris që ishte pushim kundër Torinos për shkak të skualifikimit dhe kartonit të kuq në derbi.

DILEMA PËR ASLLANIN- Në mesfushë trajneri Inzagi është duke u menduar më mirë për lëvizjet. Barela me shumë mundësi mund të jetë titullar në mënyrë që reparti të mos çekuilibrohet totalisht. Kështu që Fratezi është gati për të marrë vendin e Mkitarianit. Balotazhi është përpara mbrojtjes mes profesorit dhe nxënësit. Asllani është gati që të luajë si titullar përpara Çalhanoglusë dhe të marrë minuta të rëndësishme në prag të Europianit me Kombëtaren shqiptare.

Mesfushori është titullar i padiskutueshëm i Silvinjos dhe duhet të ndezë motorët në këtë fund sezoni. Megjithatë, dyshimet do të shuhen gjatë ditëve. Në sulm, duket e vështirë që të ulet në stol Lautaro Martinez, i cili kërkon të rikthehet te goli që i mungon prej shkurtit. Kështu që Sançez, që është më i avantazhuar sesa Arnautoviç do të sfidojë Turamin për të qenë titullar.

PANORAMASPORT.AL

You may also like