Milan hedh Juventusin në tapet, Tomori e Diaz vendosin supersfidën e “San Siros”

by admin
Spread the love

Milani triumfon në San Siro përballë Juventusit në supersfidën e javës së nëntë me rezultatin e pastër 2-0. Në ndeshjen që kishit mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport, të shoqëruar edhe me emisionin “Gran Gol”, kuqezinjtë dominuan takimin dhe treguan se janë një prej ekipeve më në formë në Serie A.

Milani hidhet menjëherë në sulm dhe kërkon golin që në minutat e para. Rreziku i parë vjen nga Rafael Leao që godet shtyllën duke sjellë edhe drithërima në kampin bardhezi. Do të ishte sërish sulmuesi portugez që rrezikon për Milanin. Edhe ketë herë megjithatë, goditja e Leao ndalet nga shtylla.

Kur ekipet pritet që të shkonin në dhomat e zhveshjes në barazim pa gola, vjen edhe goli i parë i Milanit. Një goditje e Giroud ndalet në trupin e Fikayo Tomorit, me këtë të fundit që shfrytëzon topin e ngelur në zonë dhe çon topin në rrjetë. Kështu, ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjeve në avantazhin e kuqezinjve.

Edhe pjesa e dytë flet për Milanin në fillimin e saj. Një pas e gabuar në mesfushë nga lojtarët e Juventusit rrëmbehet nga Brahim Diaz që niset i vetëm, kalon lojtarët që ka përballë dhe realizon golin e dytë për kuqezinjtë. Ndeshja shkon 2-0 dhe tashmë gjithçka është më e lehtë për Milanin, që kërkon të menaxhojë avantazhin e krijuar.

Juventusi nga ana tjetër provon të sulmojë për të ndryshuar fatet e takimit. Milik rrezikon portën e Tatarusanut, por ky i fundit nuk lejon të rihapet sfida. “Zonja e Vjetër” provon edhe me Kean, por topi devijohet nga mbrojtja e Milanit dhe nuk gjen kuadratin.

Juventusi lejon hapësira pas në fundin e takimit dhe Origi ka shansin që t’i çojë shifrat në 3-0, por tentativa e tij i vetëm përballë Szczesnyt pritet nga gardiani polak.

Kështu, sfida përfundon me triumfin e Milanit me rezultatin e pastër 2-0 falë golave të Tomori dhe Diaz. Pikë të plota për të besuarit e Piolit që gjen edhe fitoren e tij të parë në karrierë përballë Max Allegrit.

Kuqezinjtë ngjiten në vendin e tretë me 20 pikë, po aq sa Napoli dhe Atalanta kryesuese, por që kanë një ndeshje më shumë për të luajtur. Nga ana tjetër Juventusi qëndron në kuotën e 13-të pikëve dhe rrëshqet në vendin e tetë pas fitores së Interit përballë Sassuolos më parë. /oversport.tv

Foto: AC Milan, Twitter

You may also like