Mesazhi i Pashkëve: Ne nuk mund të lejojmë asgjë dhe askënd të na e rrëmbejë shpresën!

by admin
Spread the love

Nga Imzot Angelo Massafra OFM*

Vështirësitë e jetës nuk e kanë fjalën e fundit dhe as nuk mund t’ia lejojmë vetes t’i dorëzohemi këtij tundimi djallëzor: nëse kemi besim në Krishtin e Ringjallur, i kemi edhe mundësitë që të përballojmë gjithçka me guxim, angazhim dhe bujari.

Nuk mund të ketë situata që na pengojnë të jemi njerëz të rinj, të aftë për të guxuar, për të ëndërruar lart siç na kujtoi Papa Françesku nëntë vjet më parë në Tiranë; dhe – siç ka këmbëngulur përsëri Papa Françesku – në fenë e Krishtit të Ringjallur, ne nuk mund të lejojmë asgjë dhe askënd të na e rrëmbejë shpresën!

Nëse jemi besimtarë të vërtetë në Krishtin, ka ardhur koha, dhe është në këtë moment, që të angazhohemi seriozisht për ta ndërtuar të mirën: nuk ka rëndësi se çfarë pengesash na dalin përpara; nuk ka rëndësi se sa njerëz apo situata do të rreshtohen kundër nesh: ky është momenti për të vepruar me gjithë shpresën dhe energjitë që jemi të aftë, por mbi të gjitha me energjitë që na vijnë nga feja në Krishtin Zot. Mendoj për familjet dhe për çdo person të shënuar nga vdekja, nga dhimbja, nga sëmundja, nga vuajtja e çfarëdo lloji, nga vështirësitë ekonomike, nga padrejtësitë, nga hakmarrja.

Vëllezër, motra, guxim! “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”. Dhe sot Krishti i Ringjallur na thotë: “Zemër, he burra! Unë jam! Mos druani!” (Mk 6,50). Ai është i pranishëm në sfondin e të gjitha vuajtjeve njerëzore dhe, si në filigranë, na i tregon edhe neve, si dikur Shën Tomës, plagët në duart, këmbët dhe në brinjën e Tij, për të na kujtuar se, pavarësisht gjithçkaje, ringjallja është e mundur për të gjithë.

Gëzuar Pashkën, vëllezër dhe motra katolikë, ortodoksë dhe të krishterë. Zoti ecën përkrah nesh.

*Ky botim është një pjesë nga “Mesazhi i Pashkëve” që Kisha Katolike Shqiptare jua përcjellë të gjithë besimtarëve.

You may also like