Merko hetohet për 6 lëndë, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim

by admin
Spread the love

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim për shpronësim të tokës, janë kryesisht veprat për të cilat hetohet kryetari i Strugës, Ramiz Merko, nga ana e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga prokuroria thonë se momentalisht ndaj Merkos janë 6 lëndë të hapua e që janë në faza të ndryshme. Për Merkon në organet gjyqësore kanë ngritur kallëzim penal shoqata qytetarësh, por edhe një grup avokatësh, ndërsa lëndët kryesisht janë nga viti 2020 dhe 2023.

“1. Kallëzim penal nga disa shoqata qytetarësh, me veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit”;

2. Lëndë e ngritur në Prokurorinë Publike të Strugës kundër të lartpërmendurit dhe dy personave të tjerë për veprat penale nga neni 353 dhe neni 353-v të Kodit Penalp;

3. Lëndë e pranuar në Prokurorinë Strugë më 19 maj 2023, pas së cilës kërkesa është duke u shqyrtuar dhe ka filluar procedura para hetimore;

4. Lëndë e hapur pas denoncimit nga Policia Financiare për vepër penale nga neni 353 pika 1, 2 dhe 5 kundër personit për të cilin tregoni interes dhe tre personave të tjerë. Prokurori që vepron në këtë rast ka lëshuar Urdhër për ekspertizë në Byronë e Ekspertizës Gjyqësore, pas konstatimeve të dorëzuara, në tri raste janë kërkuar plotësime të ekspertizës. Prokurori në fjalë është ende në pritje të veprimeve për Urdhrin për plotësim të lëshuar në shkurt 2020”, thonë nga Prokuroria për Ndjekje të Krimit dhe Korrupsionit.

Lista vazhdon edhe me dy lëndë të tjera të cilat janë të hapura, kurse për veprën për mashtrim lidhur me shpronësimin e një toke në Strugë, procedura është në fazë parahetimore. Në pyetjen e TV21 nëse do të nisin procedurë për të hetuar indikacionet e Departamentit të Shtetit për ndikimin e Merkos në gjyqësor, nga Prokuroria thonë se për çdo lëndë do të hetojnë efikasitetin dhe shpejtësinë e prokurorëve në lëndë.

“Prokuroria i merr jashtëzakonisht seriozisht njohuritë e Departamentit Amerikan të Shtetit për ndikimin e mundshëm të këtij personi në procedura. Për këto arsye, prokuroria me urgjencë për çdo lëndë do të hetojë menjëherë ligjshmërinë dhe shpejtësinë e veprimeve dhe ndikimin e mundshëm në lëndë. Të gjithë prokurorët që do të konstatohet se nuk kanë vepruar me kohë, jo profesionalisht dhe nën ndikim do të ndiqen penalisht dhe publiku do të informohet në mënyrë të duhur”, theksojnë nga Prokuroria për Ndjekje të Krimit dhe Korrupsionit.

Ndërkohë Këshilli Gjyqësor javën e ardhshme pritet që të formojë një komision prej 3 anëtaresh të cilët do të bëjnë një kontroll në Gjykatën Themelore të Strugës për të hetuar konstatimet e DASH-it për përfshirje të Merkos në procedura gjyqësore. Pas kontrollove, gjetjet do të prezantohen edhe në seancë të Këshillit, paralajmëruan nga atje.

You may also like