MEMOIR – Schaeuble: Kërkonin që unë të rrëzoja Merkelin

by admin
Spread the love

BERLIN, 3 prill /ATSH-ANSA/ – Në mes të krizës së migrantëve në Gjermani, në vitin 2015, pati nga ata që komplotuan pas krahëve, në mënyrë që Wolfgang Schaeuble ta rrëzonte Angela Merkelin dhe të zinte vendin e saj në krye të vendit.

Zbulimi vjen nga pena e vetë ish-ministrit të Financave të kancelares, për të cilin revista ”Stern” jep disa pasazhe, në kujtimet që pritet të dalin në ditët në vijim në Gjermani.

Në këto faqe, kancelari i munguar, një fener i konservatorëve të CDU-së deri në vdekjen e tij dhe i famshëm në Evropë si një qen roje i kursimeve, zbulon një histori kur thotë se “Edumund Stoiber ndërmori veprime duke nxitur Horst Seehofer, i cili e kishte pasuar atë në krye të landit të Bavarisë (dhe të CSU), në sulmet e tij kundër Angela Merkelit”.

”Dhe ai donte që unë të lëvizja për ta rrëzuar atë dhe të bëhesha vetë kancelar”, shkruan Schaeuble.

Një strategji që nuk e bindi ministrin, i cili vdiq më 26 dhjetor 2023 në moshën 81-vjeçare.

”Ashtu si dekada më parë në rastin e Kohlit, mbeta i idesë se rënia e kancelarit vetëm sa mund të dëmtonte partinë tonë për një kohë të gjatë pa i zgjidhur realisht problemet. Kjo ishte mënyra e të kuptuarit të besnikërisë, ndoshta pak jashtë mode sipas standardeve të sotme”, shkruan më tej ai.

Libri “Kujtime. Jeta ime në politikë” do të dalë javën e ardhshme.

Schaeuble i rikthehet edhe zgjedhjes që e komplikoi jetën e Angela Merkelit duke i krijuar asaj shumë armiq mes kolegëve partiakë.

”Kur kancelarja mori vendimin vendimtar për hapjen e kufijve më 4 shtator 2015, përballë situatës katastrofike të stacionit të Budapestit, ku mijëra refugjatë ishin atje, e pashë këtë zgjedhje si të duhurën, si nga pikëpamja humanitare, ashtu edhe nga pikëpamja e politikës evropiane”.

Madje edhe slogani i famshëm ”ne mund ta bëjmë” (”wir schaffen das”), shumë i kritikuar gjerësisht, pati mbështetjen e Schaeuble.

“Ishte një slogan i fortë. Duhej të shoqërohej me masa e përpjekje të tjera, edhe për të sqaruar se do të ishte një masë e jashtëzakonshme dhe e papërsëritshme”, shkruan ai.

”Edhe kancelarja duhet t’u sqaronte qytetarëve se politika e pritjes do të kishte një çmim. Isha i frustruar nga fakti se Merkel ishte shumë rezistente ndaj këshillave. Në vlerësimin tim ajo do të kishte shumë më tepër mundësi për të qeverisur dhe për të ushtruar lidership real politik, në vend që thjesht të reagonte”, përfundon ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like