Mehmeti: Saburtalo i fortë, por ne jemi Partizani dhe synojmë kualifikimin

by admin
Spread the love

Partizani do të debutojë nesër në Conference League në Gjeorgjinë e largët përballë Saburtalo, një sfidë që do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Oversport Gentjan Alinani, trajneri i “të kuqve” Dritan Mehmeti ka analizuar sfidën përballë gjeorgjianëve. Tekniku vlerëson kundërshtarin, por thekson se Partizani kërkon që të kualifikohet në turin tjetër të turneut.

Mister, sa e rëndësishme është kjo ndeshje për Partizanin?

Është një ndeshje shumë e rëndësishme jo vetëm për Partizanin, por edhe për Saburtalon. Ne kemi objektiva të qarta sepse e dimë çfarë skuadre jemi dhe traditën që kemi. Kemi shumë tifozë dhe duam t’i bëjmë të lumtur ata me një performancë të mirë dhe duke shpresuar kualifikimin.

Çfarë ndeshje prisni dhe sa e vështirë është?

Do të jetë një duel shumë i vështirë dhe mendoj se kualifikimi është 50 me 50. Saburtalo është ekip i fortë dhe me futbollistë të rinj. Megjithatë ata sillen si futbollistë me eksperiencë në fushë. Tani janë në kampionat dhe kanë ritëm. Ky mund të jetë një problem për ne. Por kemi punuar këto javë që edhe ne të fitojmë ritmin sepse është i rëndësishëm.

Ju zhvilluat fazën përgatitore në Slloveni. Si shkoi dhe çfarë përgjigje morët nga skuadra?

Punuam shumë aty. Ne e dimë që Conference League kërkon shumë impenjim dhe seriozitet. E mbyllëm kampionatin një muaj më parë dhe në këtë fazë përgatitore kërkuam të fitonim ritmin e humbur. Zhvilluam miqësore dhe na ndihmuan për të gjetur formën. Jemi në një fazë ku janë larguar disa lojtarë dhe kanë ardhur të tjerë, por kanë nevojë për kohën e tyre që të përshtaten. Nuk është e lehtë të përshtatesh me filozofinë e skuadrës.

Ju e keni studiuar kundërshtarin. Cili element ju ka befasuar dhe mendoni të përdorni një strategji për ta ndalur?

Saburtalo ka lojtarë të shpejtë dhe dinë të luajnë me topin. Kjo është pika më e fortë, por futbolli është i paparashikueshëm dhe në fushë ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç duhet. Prandaj shpresoj që ne të bëjmë një ndeshje të madhe. Saburtalo ka lojtarë të mirë por ne kemi filozofinë tonë për ta fituar këtë ndeshje. Futbolli nuk luhet vetëm me individë të shpejtë, por duhet grup dhe lojë taktike. Mentaliteti në fushë ka shumë rëndësi.

A ju jep më shumë shanse fakti që ndeshja e dytë luhet në Shqipëri?

Nuk më pëlqen të shoh shumë larg. E rëndësishme është që ta mbyllim me sukses ndeshjen e parë dhe pastaj të mendojmë për të dytën.

Nga i dërguari ynë në Gjeorgji, Gentjan Alinani. / Oversport.tv

You may also like