Mbrojtja për çmimin “Oscar”, analiza e Andi Lilës për Erzenin

by admin
Spread the love

Opinion nga Andi Lila

Sezoni 2022-2023 i “Abissnet Superiore” ka nisur vrullshëm dhe me shumë surpriza të bukura. Disa skuadra që në letër nuk ishin llogaritur se do të hapnin probleme në këtë sezon, në fakt kanë rezultuar “kockë e fortë” dhe na kanë rezervuar shumë të papritura.

Surpriza më e bukur dhe skuadra që e ka nisur me shumë vrull dhe entuziazëm këtë edicion të Superiores, është Erzeni, që na ka befasuar deri më tani me lojë dhe rezultate. Shijakasit na kanë surprizuar gjithashtu edhe me futbollistë që shumica nuk njiheshin ose që kishin luajtur në skuadra të Kategorisë së Parë. Në letër nuk duken më të mirët, por në fushë është e kundërta, ata djem luajnë dhe zbatojnë detyrat taktike në perfeksion. Jo më kot nuk kanë pësuar ende asnjë gol në pesë ndeshjet e para në kampionat dhe renditen të parët për këtë rekord, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë.

Portieri Xhika dhe mbrojtja me 4 futbollistë në vijë të drejtë sinkronizohen në mënyrë perfekte me njeri-tjetrin. Pa diskutim kur themi mbrojtja bëhet fjalë për të gjithë skuadrën, që në fazën kur nuk kanë topin në zotërim kthehen pothuajse të gjithë nën linjën e topit. Kjo bën që Erzeni të jetë hermetik.

Dy qëndrorët Krasniqi dhe Sadiki duhet të studiohen nga shkolla e trajnerëve në FSHF për mënyrën sesi vendosen dhe si organizojnë skuadrën nga mbrapa. Edhe pse është një paralelizëm shumë i largët, shembulli vjen nga Italia ku në Coverciano (shkolla e trajningut në Itali) studiohet dyshja Chiellini-Bonucci.

Krahët e mbrojtjes së Erzenit mbulohen nga Iliazi në të djathtë dhe Peposhi në të majtë, gjithmonë në sinkron me njeri-tjetrin. Kur del në sulm Peposhi, Iliazi mbyllet në qendër dhe bëhet mbrojtës i 3-të bashkë me Sadikin dhe Krasniqin, ndërsa kur sulmohet nga e djathta, ndodh e anasjellta. Kjo bën që Erzeni mos të kapet në befasi, por të ketë një balancë forcash në pozicione.

Mesfushorët difensiv Kahrimanovic dhe Mehmeti na kanë treguar në këto 5 ndeshje të para se kanë potencial të madh. Të dy mbrojnë shumë mirë, por po aq mirë organizojnë lojën dhe ruajnë ekuilibrat në fazën e trazicionit. Ata shfaqin shumë potencë në lojën një kundër një dhe në luftën në ajër. Gjatë ndeshjes njëri shtyn përpara dhe ndihmon skuadrën në fazën sulmuese. Kjo veçori e bën lojën e Erzenit të ketë një armë të fuqishme që e përdor vazhdimisht gjatë ndeshjes.

Për sa i përket sulmuesëve anësorë,  Kadriu, “më i majri” siç thuhet shpesh në dialektin e Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, deri më tani ka treguar se është një futbollist me shumë vlera. Ai ka një grintë dhe dëshirë të admirueshme. Është shumë i shpejtë dhe i rrezikshëm në lojën një kundër një, mundohet të japë 100% për skuadrën dhe nuk kursehet as në fazën difensive. Ai kthehet deri në vijat e fundit të mbrojtjes dhe shpeshherë e shikojmë si mbrojtës të pestë. Akoma nuk ka shënuar gol, por rendimenti i tij është i një niveli shumë të lartë. Nga krahu tjetër, Ademi nuk është akoma në formën e tij më të mirë, por çdo javë ka treguar rritje. Ky futbollist ka shumë kualitet dhe do ta ndihmojë Erzenin të realizoje ëndrrën e tij.

Për sa i përket Alan, klasi që ka e bën një lojtar të veçantë për “Abissnet Superiore”. Teknika me topin është arma e tij më e fortë. Pothuajse të gjithë topat në fazën sulmuese kalojnë nga këmbët e këtij futbollisti. Gjithashtu ai kthehet të ndihmojë mesfushorët difensiv në fazën kur skuadra po mbrohet dhe nuk e ka topin në zotërim. Goli nga goditja standarde ishte prezantimi më i mirë për këtë futbollist që është vlerë e shtuar e kampionatit tonë.

Sulmuesi Nonato realizoi një gol për notën 10 kundër Partizanit. Megjithatë, skema 4-2-3-1 që vendoset Erzeni në fushë e bën këtë futbollist të këtë pozicionin më të vështirë sepse është gjatë gjithë kohës i vetëm përballë dy mbrojtësave kundërshtarë. Shpeshherë e shikojmë në hije ose të humbasë topa të thjeshtë dhe mund t’i bëjë nervoz tifozët. Megjithatë për rendimentin dhe rezultatet e arritura nga Erzeni, ky futbollist ka qenë vendimtar duke shënuar një gol me vlerë 3 pikë, si dhe fitoi një penallti në minutat e fundit kundër Laçit. Nga penalltia erdhën edhe 3 pikët që e çuan Erzenin në vendin e parë, të paktën për 24 orë.

Pankina është një fjalë që nuk më ka pëlqyer asnjëherë, por në futboll pa lojtaret zëvendësues është e pamundur të arrish objektivat. Çdo zëvendësues i Erzenit në këtë sezon ka dhënë maksimumin e tij dhe ka një meritë të veçantë për këtë sukses historik. Normalisht konkurrenca i bën mirë çdo skuadre dhe çdo futbollist duhet të tregojë që meriton një fanellë titullari.

Trajneri Kapllani është treguar i shkëlqyer sesi arriti të ndërtojë një skuadër kaq të mirë në kohë rekord. Në fazën mbrojtëse është për çmimin “Oscar”. Në fazën e trazicionit repartet janë afër dhe rrallëherë kapet në kundërsulm. Në fazën sulmuese Erzeni ka disa zgjidhje që Kapllani i ka punuar, por më e rëndësishmja për këtë skuadër është se ai i lejon futbollistet të fantazojnë, driblojnë dhe godasin portën kundërshtare. Një trajner me këto cilësi ndihet që i ka munguar “Abissnet Superiore”. Kapllani ka vendosur themele shumë të forta në karrierën e tij si trajner i parë.

Nga jashtë, është normale që tifozët së bashku me drejtuesit të jenë në ekstazë. Mbështetësit e Erzenit do të dëshironin që ndeshjet në shtëpi t’i luanin në Shijak, të shihnin skuadrën e zemrës dhe të mburreshin me të për rezultatet historike që kanë arritur. Drejtuesit duhet që patjetër të sistemojnë skuadrën në Shijak dhe jam i bindur që po bëjnë maksimumin për këtë çështje.

Duket si një ëndërr e bukur për një skuadër që vjen kaq rrallë në kategorinë e më të mirëve të Shqipërisë. Sa do zgjasë kjo mrekulli? Përgjigjen do na e japin futbollistët në fushën e lojës.

You may also like