Mbahet sot Konferenca Islame Gjermane, do diskutohet antisemitizmi dhe armiqësia ndaj myslimanëve

by admin
Spread the love

Konferenca Gjermane e Islamit mblidhet nën hijen e terrorit dhe dhunës në Lindjen e Mesme, por edhe nën hijen e sulmeve të shumta ndaj hebrenjve në Gjermani.

Data e mbajtjes së konferencës ishte caktuar prej kohësh. Ndërsa tani mbahet 45 ditë pas sulmit terrorist të Hamasit në qytetet izraelite. Konferenca Islame Gjermane (DIK) mblidhet këtë të martë dhe ky është takimi i parë pas disa vitesh. Dy ditë do të bisedohet për temën “Paqja sociale dhe kohezioni demokratik: lufta kundër antisemitizmit dhe armiqësisë ndaj myslimanëve në kohë të ndarjeve shoqërore”.

Ministria federale e Brendshme, e drejtuar nga ministrja Nancy Faeser (SPD), po merr në konsideratë situatën e rënduar të javëve të fundit. Hebrenjtë në Gjermani po jetojnë përsëri në frikë. Prindërit janë të shqetësuar për fëmijët e tyre në shkolla, të moshuarit po shmangin shkuarjen në sinagoga. Pati sulme kundër objekteve fetare hebreje në disa qytete. Ishin pikërisht demonstratat me mijëra pjesëmarrës që vunë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit të Izraelit ose festuan terroristët e Hamasit si luftëtarë të lirisë, ato që përkeqësuan këto shqetësime. Nga ana tjetër, edhe komunitetet dhe shoqatat myslimane po raportojnë një numër në rritje drastike të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj institucioneve dhe besimtarëve të tyre.

Vëmendja tek gjërat elementare

17 vjet pas themelimit nga ministri i atëhershëm i Brendshëm Wolfgang Schäuble (CDU) në vitin 2006, Konferenca Islame Gjermane po përpiqet edhe një herë t’u përgjigjet pyetjeve elementare dhe njëkohësisht të kapërcejë shpejt problemet aktuale dramatike. Konferenca është konsideruar gjithmonë si një platformë qendrore e dialogut midis shtetit dhe myslimanëve, për të avancuar integrimin fetar dhe socio-politik të më shumë se pesë milionë myslimanëve, i cili është lënë pas dore prej kohësh në Gjermani. Deri tani çdo periudhë legjislative ka filluar me pritshmëri të mëdha dhe ka përfunduar me zhgënjim. Nëse pyeten njerëzit që kanë qenë në këtë Konferencë, ata do të thonë: “Po, kjo sjell diçka. Por njerëzit nuk janë të kënaqur me kaq”.

Nancy Faeser është ministrja e pestë federale e Brendshme, por socialdemokratja e parë, që kujdeset për këtë Konferencë. Që nga viti 2005 e deri në vitin 2017, politikanë meshkuj të Unionit kanë drejtuar gjithmonë ministrinë, e cila është përgjegjëse për fushën e fesë. Një vit më parë, kur Faeser njoftoi vazhdimin e punës së Konferencës, ajo përmendi trajnimin më intensiv të imamëve në Gjermani dhe luftën kundër ndjenjave anti-myslimane si çështjet kryesore. Ndërsa tani tema e urrejtjes ndaj hebrenjve e lë nën hije agjendën e mëparshme.

Shoqatat myslimane kanë shkaktuar acarim masiv në javët e fundit. Përsëri dhe përsëri, del në pah kursi i shoqatës së ndikuar nga Turqia Ditib, në të cilën janë caktuar rreth 900 bashkësi në mbarë vendin. Shoqata varet nga autoriteti fetar turk Diyanet, i cili i dërgon imamët në Gjermani. Ndërsa ata janë gjithmonë besnikë ndaj presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka tërhequr vëmendjen këto javë me urrejtjen e tij të hapur ndaj hebrenjve dhe sulmet verbale ndaj Izraelit, ndësa ka lavdëruar Hamasin si një “organizatë çlirimtare”.

Qëndrimet e diskutueshme të Ditib

Në landin Renania Veriore-Vestfalia, kreu i Kancelarisë së landin përgjegës për komunitetet fetare, Nathanael Liminski (CDU), këmbëngul për sqarime nga Ditib. Menjëherë pas terrorit të Hamasit, Liminski kërkoi nga shoqatat myslimane të dënojnë “mizoritë e Hamasit” në një deklaratë të përbashkët. Por kjo deklaratë, e cila mori shumë vëmendje në Gjermani, nuk u shfaq kurrë në internet në shoqatën Ditib.

Edhe Këshilli Qendror i Myslimanëve (ZRM) është kritikuar. Një ditë pas terrorit të përgjakshëm, kur numri i vdekjeve dhe pengjeve të rrëmbyera nuk ishte sqaruar ende, shoqata foli dhe dënoi “sulmet e Hamasit”, por pa folur në mënyrë eksplicite për terror dhe për një brutalitet të paprecedentë. Ndërsa më pas iu bashkua kritikave ndaj veprimeve të kolonëve militantë izraelitë në fshatrat palestineze. Vetëm pak ditë më parë, Këshilli Qendror pezulloi anëtarësimin e Qendrës Islamike Shiite të Hamburgut (IZH) në ZRM, një grup i mbështetur nga Irani dhe i monitoruar nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës për një kohë të gjatë. Vendimi i ZRM-së u mor vetëm pas bastisjeve të qindra policëve në objektet e IZH-së në Hamburg dhe në qytete të ndryshme gjermane.

Tani, ndryshe nga të gjitha mbledhjet që nga viti 2006, Këshilli Qendror i Myslimanëve nuk ftohet në Konferencën Islame, siç tha për Deutsche Welle-n Sekretari i Përgjithshëm i tij Abdassamad El Yazidi. Ai shpreh keqardhje për këtë dhe në të njëjtën kohë e sheh si një gabim deklaratën e tij të 8 tetorit: “Do të kishte qenë më mirë po të dënohej barbarizmi i Hamasit. Dhe më pas të flitet për çështjet e tjera”.

El Yazidi në një intervistë për Deutsche Welle thotë se shoqata e tij ka punuar për integrimin e myslimanëve dhe zhvillimin e strukturave të komunitetit fetar për dekada. Ishte “e padrejtë dhe fyese” të portretizosh përfaqësuesit e kësaj organizate si mbështetës të Hamasit. El Yazidi theksoi se në bisedat me miqtë hebrenj ai mësoi se për shumë hebrenj, jeta në Gjermani ishte “vështirë e përballueshme për momentin”. Por ai mbron edhe njohjen e situatës emocionale nga ana e myslimanëve gjermanë që po përballen me sulme në rritje. “Shumë vuajnë në heshtje përtej protestave të mbuluara nga mediat.”

Roli i rëndësishëm i shoqatave

Një gjë është e qartë: për momentin bëhet fjalë në thelb për rolin e shoqatave myslimane në Gjermani. Këshilli Qendror në veçanti është një partner i rregullt diskutimi për politikanët dhe komunitetet fetare në të dy nivelet federale dhe të landeve.

Sipas Eren Güvercin, qeveria federale duhet të ndryshojë strategjinë e saj kur merret me shoqatat. Dijetari i devotshëm mysliman dhe islamik ishte një nga themeluesit e Shoqërisë Alhambra në vitin 2017, një grup më liberal përtej strukturave të mëparshme të shoqatës. Güvercin tha për Deutsche Welle-n se, si strategjia ka për synim të arrihet ndryshimi nëpërmjet afërsisë mes shoqatave dhe të arrihet me të vërtetë në një “komunitet fetar gjerman”. Kjo strategji ka “dështuar”, veçanërisht në lidhje me Ditibin, që është duke u bërë gjithnjë e më e qartë si një grup interesi dhe jo një komunitet fetar. “Ne në Gjermani duhet ta vendosim politikën tonë fetare mbi baza krejtësisht të reja. Ne kemi nevojë për një pikë kthese në politikën fetare.”

Për Güvercin, Konferenca Islame mund të kishte trajtuar lehtësisht një temë të vetme – antisemitizmin mysliman. Güvercin thotë se do të priste që ministrja e Brendshme të mbante një takim të posaçëm të DIK-ut për ngjarjet e 7 tetorit dhe për mënyrën se si shoqatat myslimane e trajtuan këtë sulm. Në këtë mënyrë, Faeser mund të kishte sjellë në bisedë shoqatat dhe shoqërinë më të gjerë civile myslimane. “Për fat të keq, tani kjo nuk do të ndodhë. Tani do të kemi një Konferencë specialistësh që ishte planifikuar përpara 7 tetorit.”

Kur Konferenca Islame të mblidhet në Berlin këtë të martë, Shoqëria Alhambra do të jetë atje, por Këshilli Qendror jo. Mbetet për t’u parë nëse përfaqësuesit e Ditibit do të bashkohen në debat. Ministria Federale e Brendshme nuk informon paraprakisht se kush është ftuar.

Por shumë shpejt do të shihet se cili është synimi i ministrisë. Pas fjalëve hyrëse të ministres fjalën do ta marrë Christian Wulff, president i Gjermanisë në periudhën 2010- 2012, i cili edhe përdori për herë të parë fjalinë se Islami i përket Gjermanisë. Ai nxiti asokohe një debat të vonuar prej kohësh, e i cili po vazhdon edhe sot e kësaj dite. /DW


Top Channel

You may also like