Marshojmë drejt fitores! – Shqip

by admin
Spread the love

Deputetja Ariana Musliu-Shoshi ka reaguar pas votimit pro anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Në Asamblenë Parlamentare të KiE-së sot u mbajt seancë e veçantë, ku asamblistët paraqitën qëndrimet e shteteve që përfaqsojnë, lidhur me këtë çështje.

“Miratimi i raportit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, i cili rekomandon pranimin e Kosovës si anëtarja e 47-të e kësaj organizate ndërkombëtare – është një fitore e rëndësishme për të cilën është punuar gjatë dhe shumë. Tani, në muajin maj presim që Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendosë përfundimisht PRO anëtarësimit të vendit tone” ka shkruar Musliu-Shoshi.

Postimi i plotë:

Marshojmë drejt fitores – për Kosovën në Këshillin e Evropës!

Miratimi i raportit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, i cili rekomandon pranimin e Kosovës si anëtarja e 47-të e kësaj organizate ndërkombëtare – është një fitore e rëndësishme për të cilën është punuar gjatë dhe shumë. Tani, në muajin maj presim që Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendosë përfundimisht PRO anëtarësimit të vendit tonë.

Prandaj, sot, nuk mund të gjejë një moment më të përshtatshëm për të falënderuar të gjithë ata të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë sukses – përfshirë delegacionet e Kuvendit të Kosovës, të cilat nga viti 2012 kanë punuar vazhdimisht për këtë ditë. Megjithatë, në krye edhe të këtij procesi, sikur në shumë të tjerë me rëndësi jetike për Kosovën, ka qenë Presidenti Hashim Thaçi.

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe miratimit të Kushtetutës tonë në prill të atij viti, Hashim Thaçi, atë kohë si Kryeministër, ishte siguruar që ai dokument të përmbante standartet më të larta që respektojnë të drejtat e njeriut, fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit – si parakushte themelore për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe çdo organizatë tjetër ndërkombëtare.

Fatkeqësisht, e gjithsesi padrejtësisht, Hashim Thaçi sot nuk është në mesin tonë për të festuar këtë sukses.  Megjithatë, sot, me mendje dhe zemër ne jemi me të, afër tij dhe çlirimtarëve të tjerë, për t’i shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për vizionin e qartë për Kosovën Evropiane.

PDK ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë në ballë të proceseve shtetformuese dhe shtendërtuese – pavarësisht pozicionit dhe rrethanave të kohës. Për PDK-në, Kosova është e shenjtë – ndërsa e ardhmja e saj e sigurt euro-atlantike është qëllim dhe përgjegjësi.

Jam tejet e lumtur dhe pafundësisht krenare që si deputete e Kuvendit të Kosovës kam dhënë kontributin tim në këtë proces, bashkë me kolegët e respektuar, Sarandën, Arbenin, Enisin dhe Besnikun.

Vazhdojmë – me angazhim, punë dhe besim në të drejtën tonë.

Urime qytetarë!

Urime çlirimtarë!

You may also like