Mariçiq dëshiron të flet për ndryshimet Kushtetuese. VMRO-DPMNE: S’ke mandat dhe autorizim nga qytetarët

by admin
Spread the love

Mendoj se është koha që të bisedojmë edhe me VMRO-DPMNE-në, qoftë publikisht, qoftë larg syve të opinionit publik, njësoj është. Duhet të fillojë një debat thelbësor për ndryshimet kushtetuese. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në një intervistë për Radion e Maqedonisë. Mariçiqi shtoi se nuk sheh ndonjë problem pse bullgarët të mos hyjnë në Kushtetutë dhe pyet se si kjo do t’i rrezikonte maqedonasit?

Nëse hyjmë në një diskutim të tillë, besoj se do të kemi argumente të arsyeshme, sepse me të vërtetë është tragjike ta bllokojmë vendin tonë në rrugën drejt Bashkimit Europian për shkak të kësaj çështjeje, porositi zëvendëskryeministri Mariçiq.

“Sigurisht se qytetarët kanë të drejtë lirisht të deklarohen si ndihen, ashtu siç kemi ne dhe shtatë komunitetet e tjera në Kushtetutën tonë. Duhet të kemi mundësi edhe për bullgarët, me qëllim që ta mbrojmë veten dhe askush të mos thotë se jemi bullgarë. Ne jemi maqedonas dhe dallimi i vetëm është se ka edhe bullgarë të cilët sipas Regjistrimit të fundit janë 3.000 e diçka”, tha Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Por, nga VMRO-DPMNE me kundërpërgjigje:

“Mariçiqi nuk ka as mandat, e as autorizim nga qytetarët për të biseduar për diçka që nuk është miratuar nga qytetarët. Në vend që të harxhojë energji për këtë çështje, Mariçiqi le të fillojë të merret me zgjidhjen e problemeve, si dhe me paaftësinë akute të pushtetit. Në pah del se pushteti nuk ka shumicë për ndryshimet kushtetuese, edhe përkundër fushatës që e zhvillonte gjatë gjithë vitit, duke pohuar se janë në prag ta sigurojnë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga partia opozitare vazhdimisht thonë se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, kurse deputetët e saj nënshkruan edhe deklarata të noterizuara. Me qëndrim të njëjtë është edhe Levica, por partitë e tjera paralajmëruan se do t’i mbështesin ndryshimet në fjalë me qëllim që vendi edhe zyrtarisht t’i startojë negociatat me BE. Por, në qoftë se asnjë deputet nga VMRO-DPMNE nuk jep votën e tij, atëherë nuk do të sigurohet numri prej 81 deputetëve ose shumica 2/3 për votimin e ndryshimeve kushtetuese.

You may also like