Identiteti kushtetues si koncept normativ

by admin
Spread the love
Ditar Kabashi

Përkufizimi i identitetit kushtetues është problematikë më vete. Gjuha e përdorur gjatë përcaktimit të identitetit mund të përdoret për të diferencuar shoqërinë dhe kjo mund të përbëjë një kërcënim serioz për demokracitë kushtetuese që proklamojnë barazi në bazë të dinjitetit njerëzor.

Ditar KABASHI, Prizren

Përcaktimi i identitetit (personal a kolektiv) është sfidues, ngaqë ndërtimi i një identiteti bart pashmangshmërisht diferencimin “unë dhe tjetri/ne dhe të tjerët”. Po të thellohet ky dallim deri në suaza të fanatizmit fashist, me urrejtje ndaj tjetrit, atëherë elementet specifike identitare mund të përdoren si shkas për tragjedi humane/sociale, gjë për të cilën dëshmon historia botërore dhe veçmas ajo ballkanike.

Krahas identitetit personal apo atij të një komuniteti, rëndësi jetike paraqet identiteti që ka një shtet. Duke qenë se kushtetuta është dokumenti kryesor që përkufizon dhe organizon shtetin, rëndësi jetike paraqet përkufuzimi identitar që kushtetuta u bën shtetit dhe shoqërisë.

Me tekstin e kushtetutës nuk ndërtohet ipso facto identiteti kushtetues i një shteti. Aty mund të gjenden premisat, por germa e kushtetutës nuk mjafton per se për të sajuar identitetin kushtetues, aq sa identitetin politik.

Përkufizimi i identitetit kushtetues

Përkufizimi i identitetit kushtetues është problematikë më vete. Gjuha e përdorur gjatë përcaktimit të identitetit mund të përdoret për të diferencuar shoqërinë dhe kjo mund të përbëjë një kërcënim serioz për demokracitë kushtetuese, që proklamojnë barazi në bazë të dinjitetit njerëzor.

Në fakt, identiteti kushtetues mund të përdoret në disa shoqëri si justifikim për të qenë të lirë nga parimet dhe vlerat kushtetuese universale, madje edhe si justifikim për politika shtypëse. Fundja, duke përftuar një identitet të ri, kushtetuta mund të bjerë ndesh ose të kufizojë hapësirën e identiteteve ekzistuese[1].

Megjithatë, përkundër konotacioneve negative dhe abuzimeve konceptuale, identiteti kushtetues mund të konsiderohet edhe si koncept normativ. Në këtë kuptim, identiteti kushtetues modern është koncept që shpreh tërësinë e vlerave që përcaktojnë politikën demokratike, veçanërisht të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës[2].

Formimi i identitetit kushtetues

Krijimi i identitetit kushtetues në një vend nuk mëton shpikjen e një identiteti të ri me bazë etnike. Në aspektin juridik, ai e bën dallimin me një identitet të mëhershëm kushtetues, sikurse, për shembull, përqafimin e konstitucionalizmit liberal pas një tradite kushtetuese moniste.

Kushtetutat e fitojnë identitetin e tyre nga kultura e zbatimit të saj. Së këndejmi, identiteti kushtetues formohet si një kohezion midis tekstit të kushtetutës, traditës historike dhe pritshmërive sociale-kombëtare, ndërmjetësuar nga gjyqësia kushtetuese[3].

Identiteti kushtetues nuk është statik. Ky identitet shfaqet dhe zhvillohet në një proces dialektik në të cilin përjetohen ndërprerje dhe vazhdimësi, në bashkëveprimin e shumë faktorëve, duke nisur nga ata historikë dhe kulturorë të trashëguar dhe nga kushtet dhe prirjet e epokës aktuale[4].

Në këtë pikë duhet theksuar se preambulat e kushtetutave zënë një vend të veçantë në përcaktimin e identitetit kushtetues meqenëse ato zakonisht paraqesin linjën e ngjarjeve që janë kurorëzuar me nxjerrjen e kushtetutës, dizajnimin social që aspirohet me anë të kushtetutës dhe elementet themelore që janë emërues i përbashkët i lidhjes kolektive të shoqërisë në të cilën është shpallur kushtetuta. Domethënë, preambulat janë informuese, legjitimuese e përbashkuese dhe – për aq sa është e mundur – duhet të pasqyrojnë vlerat, idealet dhe qëllimet e kushtetutës[5].

Preambula e kushtetutës flet edhe për nocionin tjetër të vështirë “frymë e Kushtetutës”, e cila është e lidhur ngushtë me identitetin kushtetues. Po të përkthehet në gjuhë kushtetuese kontrasti lëndë-shpirt i Hegelit, mund të thuhet se nëse thelbi i materies është autoriteti, thelbi i frymës është liria. Në këtë kontekst, liria është e vërteta e vetme e frymës së kushtetutës[6]. Përgjithësisht, fryma e kushtetutës mund të përkufizohet si tërësia e pikëpamjeve, kuptimit, qëllimit, filozofisë dhe parimeve që dominojnë kushtetutën. Kjo mund të përcaktohet vetëm me një qasje tërësore ndaj kushtetutës.

Ndikimi i vlerave europiane në identitetin kushtetues

Për shkak të rrjedhave historike është e nënkuptueshme që rendet juridike të shteteve ballkanike të jenë të ndikuara nga e drejta e kodifikuar europiane. Megjithatë, mungesa e elementeve autoktone në identitetin kushtetues a priori paraqet rrezik për asimilim apo shpërbërje të shoqërisë në rast të integrimit në një bashkësi politike që përfshin identitete të ndryshme etnike e kulturore. Pa dyshim, zor se mund të flitet për identitet kushtetues në vendet ku shoqëria përjeton krizë identitare[7]. Në rastin e Kosovës, sipas studiuesit Berisha, problemet me krijimin e identitetit kushtetues janë shkaktuar rëndom me shpërfilljen e faktorëve socialë dhe të vlerave të popullit si dhe me shumësinë e çështjeve të rregulluara në nivel kushtetues[8]. Madje, po të shikohet hollësisht, faktor që ka vështirësuar krijimin e qartë të një identiteti kushtetues të Kosovës mund të konsiderohet edhe mospjesëmarrja direkte e popullit në miratimin e Kushtetutës, që është një parakusht bashkëkohor për cilësimin demokratik të një kushtetute.

Kjo qasje deri diku hetohet edhe në Shqipëri. Tekstet kushtetuese janë zhvilluar më tepër se sa vetë ideja e konstitucionalizimit dhe avancimi i vlerave konstitucionale në Shqipëri u shoqërua nga “e drejta kushtetuese kozmopolite”, e cila buronte kryesisht nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, me gjithë ndikimin edhe të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, dhe gjithsesi duke u përmbushur me pranimin e “vlerave të BE-së”, si rrjedhojë e universalizimit të së drejtës[9]. Sidoqoftë, pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria duhej të gjente shtegun për konstruktimin e identitetit të saj kushtetues, siç patën bërë Gjermania, pas nazizmit, apo Afrika e Jugut, pas regjimit të aparteidit.

Konkretizime të identitetit kushtetues

Shikuar në prizmin e integrimit europian, konstitucionalistja Anastasi pohon se Kushtetuta e Shqipërisë mund ta konsiderohet se përmban identitet tejkombëtar, ngase aty kundrohet veçmas “klauzola kushtetuese e integrimit”, “klauzola e delegimit të kompetencave ndaj organizatave ndërkombëtare”, si dhe ajo e “simetrisë së kufizimeve të të drejtave”, gjë që i jep Kushtetutës shqiptare një identitet të përbashkët me kushtetutat e hartuara pas rënies së sistemit komunist si dhe me kushtetuta të vendeve të Ballkanit Perëndimor[10].

Po të zbërthehen përkufizimet e mësipërme, do të vërehet se Shqipëria dhe Kosova kanë qëndrime të njëjta për këto çështje, që i bie se kanë identitet të ngjashëm kushtetues. Dispozitat e mëposhtme kushtetuese e argumentojnë këtë pohim.

E cilësuara klauzolë kushtetuese e integrimit, në Kushtetutën e Shqipërisë haset në dispozitën: “Normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit, kur në marrëveshjen e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për pjesëmarrjen në atë organizatë, parashikohet shprehimisht zbatimi i drejtpërdrejtë i normave të nxjerra prej asaj”[11]. Për të njëjtën temë, Kushtetuta e Kosovës thotë: “Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës, bëhen pjesë e sistemit të brendshëm juridik pasi të botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ato zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, me përjashtim të rasteve kur nuk janë të vetëzbatueshme dhe zbatimi i tyre kërkon nxjerrjen e një ligji. Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës”[12].

Tjetra, klauzola e delegimit të kompetencave ndaj organizatave ndërkombëtare, në Kushtetutën e Shqipërisë, gjen vend në dispozitën ku thuhet: “Republika e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon organizatave ndërkombëtare kompetenca shtetërore për çështje të caktuara”[13]. Gati se me formulim të njëjtë, Kushtetuta e Kosovës parasheh se “Republika e Kosovës, në bazë të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare, për çështje të caktuara mund të kalojë kompetenca shtetërore organizatave ndërkombëtare”[14].

Po kështu, simetria e kufizimit të të drejtave, në Kushtetutën e Shqipërisë parashihet në normën “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”[15], gjersa në Kushtetutën e Kosovës është përcaktuar se “Kufizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me këtë Kushtetutë, nuk bën të mohojë kurrsesi esencën e së drejtës së garantuar”[16].

Në vend të përfundimit

Duhet nënvizuar se Kushtetuta e Kosovës është produkt i kushtetutëbërjes me bazë ndërkombëtare, e cila i dha autorizim shtetasve jokosovarë për mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës (deri në vitin 2012) dhe për drejtimin e Gjykatës Speciale (nga viti 2015 e këndej)[17].

Në Kosovë, glorifikimi i tekstit kushtetues ka mbizotëruar konstitucionalizmin. Kjo ka ngjarë me fjalime panegjirike dhe retorizëm kuazi-akademik për kushtetutën, me tendencë që të krijohet përshtypja se Kosova ka një kushtetutë shumë të avancuar. Një gjë e tillë mund të ketë disa arsye, por që këtu mund të shkoqiten dy nga më kryesoret. Arsyeja e parë është numri i vogël i njohësve seriozë të teorisë kushtetuese dhe e dyta është ngarendja individuale për t’u paraqitur si protagonistë në procesin e hartimit të Kushtetutës dhe për t’i atribuuar merita vetes së tyre, kryesisht për përfitime politike.

Identiteti kushtetues nuk arrihet sa çel e mbyll sytë. Ai përftohet gradualisht, varësisht nga dinamizmi shoqëror e politik i një vendi, pastaj nga synimet integruese dhe sidomos nga jurisprudenca kushtetuese, e cila luan rol kyç në ravijëzimin e identitetit kushtetues.

Përderisa pengohet përqendrimi i gjithë pushtetit shtetëror në një degë të pushtetit dhe përderisa liria e pluralizmi e mundësojnë bashkëjetesën dhe drejtësinë sociale, atëherë mund të thuhet se identiteti kushtetues i një vendi është demokratik.

1] Getoar Mjeku, “Bërja e një shteti: Identiteti kushtetues në praktikë”. https://papers.ssrn.com/sol3/papers.cfm?abstract_id=3518508 (qasur më 21.3.2024), f. 4.

[2] Zühtü Arslan, “Yüzüncü Yılında Cumhuriyet’in Anayasal Kimliği ve Anayasa Yargısı”. https://www.anayasa.gov.tr/tr/baskan/konusmalar/yuzuncu-yilinda-cumhuriyet-in-anayasal-kimligi-ve-anayasa-yargisi/ (qasur më 17.3.2024).

[3] Elvis Zaimi, “Identiteti kushtetues dhe nënshtrimi i gjyqësorit”. https://www.balkanweb.com/identiteti-kushtetues-dhe-nenshtrimi-i-gjyqesorit/#gsc.tab=0 (qasur më 19.3.2024).

[4] Zühtü Arslan, “Yüzüncü Yılında Cumhuriyet’in Anayasal Kimliği ve Anayasa Yargısı”.

[5] Ditar Kabashi, “Tiparet dhe funksioni juridik i preambulave të kushtetutave – vështrim në të drejtën krahasimtare”. E D R E J T A – L A W , N r . 1 – 4 / 2 0 1 9, f. 62.

[6] Zühtü Arslan, “Yüzüncü Yılında Cumhuriyet’in Anayasal Kimliği ve Anayasa Yargısı”.

[7] Durim Berisha, “Identiteti Kushtetues i Kosovës”. https://ekonomia.info/sq/opinion/identiteti-kushtetues-i-kosoves (qasur më 18.3.2024).

[8] Durim Berisha, “Identiteti Kushtetues i Kosovës”.

[9] Elvis Zaimi, “Identiteti kushtetues dhe nënshtrimi i gjyqësorit”.

[10] Aurela Anastasi, “Për identitetin e Kushtetutës së Shqipërisë”. http://www.panorama.com.al/per-identitetin-e-kushtetutes-se-shqiperise/ (qasur më 19.3.2024).

[11] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 122/3.

[12] Kushtetuta e Kosovës, neni 19.

[13] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 123/1.

[14] Kushtetuta e Kosovës, neni 20/1.

[15] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 17/2.

[16] Kushtetuta e Kosovës, neni 55/5.

[17] Getoar Mjeku, “Bërja e një shteti: Identiteti kushtetues në praktikë”, f. 22.

You may also like