MANILA – Blinken dënon pasigurinë ushqimore në Gaza

by admin
Spread the love

MANILA, 19 mars /ATSH-AFP/ – E gjithë popullsia e Gazës po vuan një situatë të pasigurisë së rëndë ushqimore, deklaroi sot në Manila sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i cili duhet të vizitojë sërish Lindjen e Mesme në ditët në vijim, në pjesën e përpjekjeve për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës.

“100% e popullsisë së Gazës është në një situatë të pasigurisë së rëndë ushqimore. Kjo është hera e parë që një popullsi e tërë klasifikohet kështu, më shumë se në Sudan apo në Afganistan”, tha Blinken, duke theksuar urgjencën e dërgimit të më shumë ndihmave humanitare në territorin palestinez dhe duke denoncuar një situatë të tmerrshme atje.

“Ne kemi nevojë për më shumë ndihmë, kjo ndihmë duhet të jetë më e qëndrueshme dhe ne kemi nevojë që ajo të jetë një prioritet nëse duam të përmbushim në mënyrë efektive nevojat e njerëzve”, tha ai.

Kreu i diplomacisë amerikane tregoi gjatë një konference për shtyp se do të vizitojë sërish Lindjen e Mesme këtë javë, në Arabinë Saudite dhe më pas në Egjipt.

Ky do të jetë udhëtimi i tij i gjashtë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor.

Kreu i diplomacisë amerikane tha se do të trajtojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje të menjëhershme armëpushimi që garanton lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura si dhe intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare që synojnë rritjen e ndihmës humanitare për Gazën dhe koordinimin pas konfliktit në Gaza./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like