‘Mafia’ shqiptare në Angli sërish në fokus të mediave për ‘fermat e kanabisit, lidhjet me policinë, kalimet ilegale detare’ (fotot)

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Mediat britanike vijonin sot të përhapnin panik në lidhje me aktivitetin e asaj që quanin “mafia shqiptare”, për të cilët deklaronin se vijon të jetë aktive me kultivim ilegal kanabisi, influencë me oficerë të policisë dhe aktivitete të tjera trafiku, dhune e përfitimesh të paligjshme.

E përditshmja Daily Mail përmendte rastin e një vile në Hartlepool në një zonë të neglizhuar në verilindje të vendit, ku pas një informacioni policia kapi 75 bimë kanabisi, që sipas autoriteteve kishin një vlerë totale prej 61,000 paundë — thuajse dyfishi i vlerës prej 32,000 që kushton e gjithë prona.

Një burim vendas thoshte se kjo shtëpi është bastisur rreth 10 herë nga policia për të njëjtën arsye, që prej vitit 2015.

Identiteti i të riut shqiptar i cili kujdesej për bimët ishte i njëjtë me atë të një të deportuari disa muaj më parë, që me sa duket është rikthyer në mënyrë ilegale në vend.

22 vjeçari Ferbent Hoxha, ishte burgosur për tre vjet në 2019 për një fermë ilegale kanabisi në qytetin e Derby, ku u gjetën droga me vlerë 140,000 paundë, dhe rreth 200 bimë në gjashtë dhoma të ndryshme.

Por megjithse u deportua, ai duket është rikthyer, kësaj here në Hartlepool si dhe me një tjetër ferme në Leeds, ku u gjetën gjurmët e tij të gishtërinjve.

Një fqinj i shtëpisë thoshte me ironi: “Ata duhet ta kuptojnë tashmë se të gjithë ata që marrin me qera këtë shtëpi janë fermerë kanabisi, nuk kam njohur njeri tjetër që të vijë këtu që kur përpiqesh t’i flasësh vetem mbledhin supet e thonë ‘No English.’”

Daily Mail shtonte se kombësia e Hoxha-s tregon se operacionet e kanabisit drejtohen nga bandat shqiptare që përfitojnë nga njerëz të dobët e të rinj në vendin e tyre.

Ndërsa vetë bandat shqiptare në Angli po bëhen gjithnjë e më të dhunshme e më të fuqishme.

Dhe shumica e rekrutëve të tyre duhet të hyjnë ilegalisht në Angli, prandaj bandat janë përgjegjëse për rreth 40 deri në 60 përqind të emigrantëve që kalojnë ngushticën ujore me Francën. Shifrat e fundit zbulojnë se rreth 700 shqiptarë kanë hyrë ilegalisht në Angli brenda një jave.

Njerëzit që sillen në Angli nga bandat janë të varfër e të shantazhuar, të cilët duhet të përfshihen në krime për të shlyer borxhet që i detyrohen trafikantëve për rrugën.

Agjencia kombëtare britanike e krimit NCA thotë se krimi i organizuar shqiptar ka zgjeruar territoret e drogës në vend, si me kokainën dhe me prodhimin e kanabisit, duke lënë prapa dhe vietnamezët që ishin rritësit më të mëdhenj.

“Kontrolli i tyre ndaj rekrutëve ka të bëjë me kërcënimin dhe intimidimin”, thuhej në një dokument gjyqësor të vitit të kaluar, ku shtohej se brezi i ri i emigrantëve ishte shumë më aktiv në aktivitetin kriminal sesa ata të 20 – 25 viteve më parë që tashmë janë integruar në jetën e vendit.


Top Channel

You may also like