Lufta Mickoski-Gruevski temë në VMRO-DPMNE, Gruevski me postim, qortoi anëtarësinë

by admin
Spread the love

Çështjet se kush është dakorduar rreth Kodit Penal dhe në përgjithësi përplasjet publike mes kryetarit aktual dhe ish kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe Nikolla Gruevskit ishin temë e seancës së mbrëmshme të Komitetit qendror të partisë. Bojan Stojanovski, i cili është anëtar i trupit më të lartë partiak tha se në këtë seancë kanë marrë pjesë të gjithë deputetët e VMRO-DPMNE-së, me çka u dëshmua se nuk ka përçarje në grupin e deputetëve në Kuvend.

“Pa marrë parasysh mendimeve, bisedave ose disa akte të caktuara që vijnë nga funksionarët e tanishëm apo mëparshëm, nga njerëz që janë të pranishëm në Maqedoni ose jashtë Maqedonisë, grupi i deputetëve është i bashkuar dhe qëndron pas qëndrimit që e ndajnë mbi 80% të qytetarëve të R. Maqedonisë, se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar, pa marrë parasysh prej nga vijnë sinjalet e tilla”, theksoi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Megjithatë, Gruevski nuk ndalet me shkrimet që i dërgon nga Budapesti. Këtë herë ai iu drejtua anëtarëve duke e përfshirë edhe kryetarin Mickoski, duke u munduar t’u jepte mësime dhe i qortoi, ndërsa kërkoi që përmes video-lidhjes të përfshihet në seancën e Komitetit Qendror.

“Jeni mbushur në frymë dhe jeni arrogantë. Jeni të pushtuar edhe nga ligësia. E ndjej ndaj meje. Frika se dikush do t’i marrë vendet tuaja. Njerëz të pafajshëm janë në burgje, tërhiqen zvarrë nëpër gjykatat, nuk ngrini gishtin për t’i ndihmuar. Vendimet e dëmshme për shtetin kalojnë çdo ditë pranë jush. Flini. Nëse flitet për mua në seancën e Komitetit Qendror dhe nëse doni të respektoni atë rregull demokratik, unë jam në dispozicionin tuaj nëpërmjet video link për të marrë pjesë live”, shkroi Nikolla Gruevski, ish kryetar i VMRO-DPMNE-së.

LSDM edhe sot thotë se në opozitaren VMRO-DPMNE ka zënka të brendshme, akuza dhe përplasje dhe kërkojnë të përgjigjen për marrëveshjet me Gruevskin në vend që ta fusin LSDM-në në përplasjet e ndërsjella.

“Në lojërat dhe përplasjet e ndërsjella, Mickoski të mos e përfshin LSDM-në dhe vetë le t’i zgjidhë zënkat. Opinioni publik ende pret përgjigje nga Mickoski për marrëveshjet me Gruevskin. Ai assesi nuk iu përgjigj kërkesave për amnisti të bashkëpartiakëve të tij, për shkak të pakënaqësisë pikërisht prej tij brenda partisë së tij. Mickoski është një kopje e zbehtë e Gruevskit”, thonë nga LSDM.

Opinioni publik u bë dëshmitar i luftës së hapur mes Mickoskit dhe Gruevskit pasi lideri aktual i partisë në një intervistë për një gazetë gjermane deklaroi se paraardhësi i tij kishte marrëveshje të fshehta me qeverinë për të miratuar ndryshimet kushtetuese. Kjo është përballja e parë publike mes tyre që nga miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal, për të cilat spekulohet se duhet siguruar amnisti për Gruevskin në këmbim të mbështetjes për ndryshimet kushtetuese./TV21

You may also like