LONDER – Cameron: BM do të shqyrtojë njohjen e shtetit të Palestinës

by admin
Spread the love

LONDER, 30 janar /ATSH-AA/ – Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, deklaroi se vendi i tij do të shqyrtojë njohjen e shtetit të Palestinës.

Sipas lajmeve në mediat e vendit, Cameron ka folur për çështjen izraelito-palestineze në pritjen e organizuar nga Këshilli i Lindjes së Mesme të Partisë Konservatore mbrëmë në Londër, ku morën pjesë edhe ambasadorët e vendeve arabe.

Për të promovuar paqen në Lindjen e Mesme, Cameron tha se ”palestinezët duhet të kenë horizontin politik për të parë përparim të pakthyeshëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete”.

Duke thënë se vendi i tij ka përgjegjësi të zbulojë se si do të dukej një shtet palestinez, Cameron theksoi se ata duhet të fillojnë të përcaktojnë se nga çka do të përbëhet ky shtet dhe si do të funksionojë.

“Sapo të ndodhë kjo, ne do të diskutojmë njohjen e një shteti palestinez me aleatët tanë, duke përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB). Kjo mund të jetë një nga gjërat që do të ndihmojë që ky proces të bëhet i pakthyeshëm”, tha Cameron.

Sekretari britanik i bëri thirrje gjithashtu Izraelit të lejojë më shumë ndihma humanitare në Gaza dhe tha se ishte “qesharake” mos lejimi i hyrjes së ndihmës humanitare.

– “30 vitet e fundit janë histori dështimi për Izraelin”

Cameron deklaroi se 30 vitet e fundit kanë qenë një “histori dështimi” për Izraelin, me arsyetimin se nuk ka qenë në gjendje të garantojë siguri për qytetarët e saj, duke shtuar se paqja dhe përparimi mund të arrihet duke pranuar këtë dështim.

“Në fund të fundit, është një histori dështimi për Izraelin, sepse po, ata kishin një ekonomi në rritje, standardet e jetesës po rriteshin, ata investuan në mbrojtje, siguri, mure dhe gjëra të tjera, por ata nuk mund të siguronin atë që një shtet dëshiron më shumë, atë që çdo familje e dëshiron, e që është siguria”, tha Cameron.

– Ambasadori Palestinez, Zomlot: Ky është një hap historik

Shefi i Misionit të Palestinës në Britaninë e Madhe, ambasadori Husam Zomlot, komentoi deklaratat e Cameron në postimin e tij në X, duke thënë se ky është një “hap historik”.

Zomlot deklaroi se për herë të parë, një Sekretar i Jashtëm britanik e sheh njohjen e shtetit të Palestinës në mënyrë dypalëshe dhe në OKB si “një kontribut për një zgjidhje paqësore”.

“Njohja nga Britania e shtetit të Palestinës është njëkohësisht e drejtë e palestinezëve dhe përgjegjësi morale, politike, ligjore dhe historike e Britanisë. Nëse zbatohet Deklarata e Cameronit, ajo do të eliminojë të drejtën e vetos së Izraelit mbi shtetin palestinez, do të rrisë përpjekjet drejt një rezultati me dy shtete dhe do të fillojë të korrigjojë padrejtësinë historike që i është bërë popullit palestinez nga Deklarata Balfour e Britanisë koloniale”, tha Zomlot.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like