Lloga – Gaber: Angazhimi ynë është të bëhemi pjesë e Rrjetit Evropian të institucioneve gjyqësore

by admin
Spread the love

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, vizitoi Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, ku u njoftua me mënyrën e funksionimit dhe aktivitetet e institucionit, si dhe me Ligjin e ri për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë.

Siç bëri të ditur Ministria e Drejtësisë, në takimin me drejtoreshën e Akademisë, Natasha Gaber Damjanovska, u bisedua për mundësinë për t’u bërë pjesë e rrjetit evropian të institucioneve gjyqësore, për të cilën gjë, ministri Lloga u zotua se do të përgatitet Informacion i cili do të parashtrohet në Qeveri.

Një nga problemet me të cilat përballet Akademia është mungesa e kushteve adekuate hapësinore dhe teknike për funksionim normal.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, e informoi Gaber-Damjanovskën se për të hequr të gjitha dyshimet për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve për noter, përmbarues dhe përkthyes gjyqësor, do të ishte mirë që në të ardhmen të jepen në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë dhe jo në Ministrinë e Drejtësisë.

Është konstatuar se me ligjin e ri mundësohet marrja e një certifikate të unifikuar për trajnim fillestar të përfunduar për gjyqtar dhe prokuror publik.

“Ndryshimet parashikojnë unifikimin e praktikës gjyqësore përmes rritjes së vëllimit të trajnimeve për gjyqtarët në kuadër të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, si dhe ripërcaktimin e mënyrës së dhënies së provimit pranues dhe atij përfundimtar duke u bazuar në parime dhe kritere objektive për vlerësimin e njohurive të kandidatit.  Gjithashtu, kursantët në trajnimin fillestar, në periudhën nga miratimi i Ligjit për Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë nga viti 2015 e deri më sot, janë përballur me problem në llogaritjen në lidhje me komponentin bazë të pagës së zyrtarëve gjyqësorë dhe prokurorëve publikë, sepse me Ligjin për Shërbimin Gjyqësor që nga viti 2015, është bërë një moskuptim, nuk është paraparë asnjë pikë për titullin ‘bashkëpunëtor i lartë gjyqësor’, dhe e njëjta nuk parashikohet në ndryshimet e tij të vitit 2022, me çka drejtpërdrejt u dëmtuan kursantët e trajnimit fillestar në Akademinë, sepse rroga e tyre është llogaritur sipas pikëve për titullin ‘këshilltar gjyqësor’. Në këtë kuptim, me ndryshimet në Ligjin e ri të Akademisë, edhe ky problem u tejkalua, kështu që tani pagat e kursantëve në trajnimin fillestar janë të barabarta me pagat e një këshilltari të lartë gjyqësor/prokurori publik në gjykatën themelore/prokurorinë themelore publike”, bëhet e ditur në kumtesë.

Akademia, që nga themelimi e deri më sot, vazhdimisht ka treguar rezultate në punën e saj dhe deri më tani ka nxjerrë 8 gjenerata prej 188 kandidatëve të përfunduar me sukses për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, nga të cilët 148 kryejnë funksionin si gjyqtarë dhe prokurorë publikë dhe 40 kandidatë për gjyqtarë/prokurorë publikë janë në pritje të përzgjedhjes për të marrë detyrën, ndërkohë që është në proces mësimi praktik i 97 kursistëve dhe provimi pranues për 130 kandidatë për ndjekës të kursit për gjeneratën, bëhet e ditur në kumtesë.



You may also like