Lazio shtanget në “Olimpico” Salernitana fiton me përmbysje

by admin
Spread the love

Lazio shtangët në “Olimpico” nga Salernitana dhe mposhtet me rezultatin 3-1. Miqtë nga Salerno arritën të përmbysnin rezultatin pas golit të shënuar në fundin e pjesës së parë nga Zaçagni. Golat e Candreva, Fazio dhe Dia ndaluan ecurinë me gjashtë ndeshje pa humbje për Lazion në Serie A.

Sfida nis mirë për kryeqytetasit që janë dukshëm më dominues në pjesën e parë. Fillimisht është Anderson që gjen rrugën e rrjetës, por goli i tij anulohet për pozicion jashtë loje. Provon edhe Pedro që për fatin e tij të keq dhe të Lazios, topi ndalet në shtyllë.

Megjithatë, në fundin e pjesës së parë, Zaccagni shfrytëzon një pasim mjaft të mirë të Luis Albertos dhe i vetëm përballë Sepes i çon shifrat në 1-0. Nga ana tjetër Salernitana nuk arrin dot të gjejë në asnjë moment kuadratin e portës në fraksionin e parë.

E kundërta ndodh në pjesën e dytë me miqëtë që janë dukshëm më të karikuar dhe vihen në kërkim të golit të barazimit. Për të kthyer ekuilibrat mendon një ish si Antonio Candreva. Mesfushori italian përfiton nga pozicionimi i keq i Provedel dhe me një goditje me klas e çon topin aty ku nuk arrihet nga gardiani i Lazios.

Kur pritet që Lazios të reagojë, është sërish Salernitana që befason dhe këtë herë realizon me mbrojtësin Federico Fazio. Të besuarit e Sarrit kërkojnë të rimarrin kontrollin e ndeshjes dhe hidhen në sulm për të gjetur golin e barazimit. Megjithatë, Salernitana përfiton sërish dhe niset në një kundërsulm të shpejtë që konkretizohet me gol nga Dia.

Në fund takimi mbyllet me rezultatin surprizë 3-1 dhe Lazio zhgënjen në shtëpi përballë një ekipi modest. Pas kësaj ndeshjeje, Lazio qëndron në kuotën e 24 pikëve pas 12 javësh, ndërsa Salernitana kap shifrën e 16 pikëve dhe ngjitet në vendin e nëntë. /oversport.tv

Foto: S.S. Lazio, Twitter

You may also like