Lamtumirë kompjuterë dhe tableta: po libra dhe printera. Çfarë po ndodh në shkollën suedeze?

by admin
Spread the love

Fillimi i vitit shkollor u shënua nga risi domethënëse në Suedi, me nxënësit që gjetën libra të printuar në tavolina, në vend të tabletave që kishin përdorur deri para disa muajsh. Një ndryshim drejtimi i dëshiruar fort nga ministrja suedeze e Arsimit, Lotta Edholm, e cila mori detyrën 11 muaj më parë: “Studentët kanë nevojë për më shumë tekste shkollore – tha ministrja. Librat fizikë janë të rëndësishëm për të mësuar.”

Plani i ministres për shkollat

Vetëm vitin e kaluar, Agjencia Kombëtare e Arsimit prezantoi një plan mësimor, që do të zbatohej deri në vitin 2027, ku përfshihej edhe futja e përdorimit të tabletave në të gjitha klasat duke filluar nga çerdhet. Duke lënë mënjanë planin, ministrja planifikon të shkojë më tej me eliminimin e mësimit dixhital për fëmijët nën 6 vjeç.

Edhe pse studentët në vendin skandinav shënojnë mbi mesataren evropiane në aftësinë e leximit, të dhënat e 2021 Pirls (Progress in International Reading Literacy Study) theksuan një rënie në aftësinë e leximit të nxënësve suedezë të klasës së katërt, të cilët kaluan nga 555 pikë në vitin 2016, në 544 pikë.

Disa defiçite në të mësuarit mund të jenë rezultat i pandemisë ose reflektojnë numrin në rritje të studentëve emigrantë që nuk flasin suedisht si gjuhë të parë, por përdorimi i tepërt i tabletave në mësimet e shkollës mund të bëjë që të rinjtë të mbeten prapa në lëndët kryesore, thonë ekspertët e arsimit.

Instituti Karolinska për tekstet e shtypura shkollore

Sipas Institutit Suedez Karolinska, një nga universitetet më të rëndësishme mjekësore në botë, “ekzistojnë prova të qarta shkencore që mjetet dixhitale dëmtojnë të mësuarit e nxënësve, në vend që ta përmirësojnë atë”.

Duke komentuar strategjinë kombëtare të dixhitalizimit në arsim, Universiteti thotë: “Ne besojmë se fokusi duhet të kthehet në marrjen e njohurive përmes teksteve të shtypura dhe aftësive të mësuesve, në vend që ta bëjmë këtë nga burime dixhitale të disponueshme lirisht e që nuk janë verifikuar për saktësinë”.

Investimi i qeverisë suedeze në libra të shtypur

Për të kundërshtuar rënien e performancës së leximit të fëmijëve të klasës së katërt, qeveria suedeze njoftoi këtë vit një investim me vlerë 685 milionë korona (60 milionë euro) për blerjen e librave për shkollat. 500 milionë korona të tjera do të shpenzohen çdo vit në 2024 dhe 2025 për të kthyer librat e shtypur në shkolla.

Rikthimi te bazat, jo të gjithë janë dakord

Jo të gjithë ekspertët janë të bindur se rikthimi në origjinë është një gjë e mirë dhe e duhur për studentët. Kritika e efekteve të teknologjisë është “një lëvizje popullore mes politikanëve konservatorë”, tha Neil Selwyn, një profesor edukimi në Universitetin Monash në Melburn, Australi.

“Qeveria suedeze ka të drejtë kur thotë se nuk ka prova që teknologjia përmirëson të mësuarit, por mendoj se kjo është për shkak se nuk ka prova të qarta se çfarë funksionon me teknologjinë,” shtoi Selwyn. “Teknologjia është vetëm një pjesë e një rrjeti vërtet kompleks faktorësh arsimorë.” / Shqip

You may also like