Kryeministri Kurti vizitoi Palestrën Sportive në Zhegër, ku janë duke u bërë punime

by admin
Spread the love

Në ditën e parë të punimeve në ndërtimin e Palestrës Sportive në Zhegër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar punëtorët për punën në këtë infrastrukturë të rëndësishme sportive për Zhegrën dhe Gjilanin. Në këtë vizitë, kryeministri u shoqërua nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja Daulina Osmani dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Duke vlerësuar kontributin që Zhegra i ka dhënë jo vetëm historisë dhe ekonomisë, por edhe kulturës e sportit, kryeministri Kurti theksoi se tani Qeveria ka ndarë fonde për ta përmbyllur suksesshëm këtë projekt. Ne e kemi për obligim që të investojmë këtu dhe kësisoj ta shpijmë përpara sportin, por edhe aktivitetin shoqëror të këtij vendi, tha ai.

Sporti nuk është veç për sportistët, por është për gjithë sportdashësit, e po ashtu sporti është edhe shëndet. Andaj, ne kemi interes që atë ta bëjmë edhe kulturë të popullsisë, dhe kjo infrastrukturë e re, për të cilën ne nuk do të vonojmë e kursejmë, do të ndihmojë shumë në këtë drejtim, shtoi ai.

Kryeministri ritheksoi zotimin e Qeverisë për të punuar  për zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga e kaluara, dhe se do të sigurohet që njësoj të funksionalizohen të gjitha projektet kapitale të fushës së sportit që janë në ndërtim e sipër. Njëkohësisht, Qeveria është duke punuar për të nisur projekte të reja kapitale me qëllim të shtrirjes së infrastrukturës sportive në tërë territorin e Kosovës.

Ky projekt ishte nisur nga komuna e Gjilanit, në bazë të një memorandumi mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  në vitin 2017, me kontratë deri në vitin 2019. Ndonëse ishte punuar në një pjesë të projektit, për shkak të parregullsive me komunën dhe me pagesat, Operatori Ekonomik e kishte shkëputur kontratën.

You may also like