Kryediplomati i BE thotë se ‘vijojnë hetimet’ për shpërthimin e gazsjellësit Nord Stream (fotot)

by admin
Spread the love

Në një konferencë shtypi nga Stockholm, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell insistonte sot se hetimet për shpërthimin në gazsjellësin Nord Stream janë “në vijim”, pas artikullit të ‘New York Times’ ku thuhej se sabotazhi u krye nga një grup “pro-Ukrainës”.

Shkatërrimi i dy gazsjellësve nënujore që lidhnin Rusinë me Gjermaninë u regjistrua shtatorin që shkoi dhe prej atëherë Moska e Perëndimi fajësojnë njëra-tjetrën për atentatin.

Sot hetuesit federalë gjermanë thanë se kishin kontrolluar një anije të dyshuar se kishte transportuar eksplozivët e përdorur në incident, shkruan rrjeti AFP.

Pas artikullit qeveria e Ukrainës mohonte përfshirjen në ngjarjen e rëndë, ndërsa Kremlini refuzonte lajmin si një “diversion të vëmendjes”.

NY Times shkruante se zyrtarët amerikanë nuk kishin prova për të implikuar presidentin ukrainas Zelensky në atentat, dhe as nuk identifikonin burimin e inteligjencës apo grupin e përfshirë.

Gjermania, ashti si dhe Suedia e Danimarka, të cilat kanë kryer hetimet e tyre mbi shpërthimet, kërkonin veprim.

Ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius tha se po ndiqte raportimet “me interes të madh” për të parë nëse “do të konfirmohen”.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se nuk do të komentonte, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATOs Jens Stoltenberg “paralajmëronte kundër spekulimeve”.

Mediat në Gjermani thonin se “në incident është përdorur një jaht i marrë me qera nga një kompani polake, që i përket dy ukrainasve”.

Sipas publikimit, më pas grupi i dyshuar komandove kishin lundruar nga porti gjerman i Rostock më 6 shtator 2022, dhe ditën tjetër gjendeshin në ishullin danez Christianso në detin Balltik.