Krasniqi: Ende s’jemi në pikun e krizës energjetike, Kurti po i neglizhon rekomandimet e PDK-së

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka
paralajmëruar krizë edhe më të thellë sa i përket energjisë elektrike muajt në
vijim, teksa thonë se ende Kosova nuk është në pikun e këtij problemi.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në
intervistën e parë për këtë vit dhënë për Ekonomia Online, ka folur për
mundësinë e të bërit opozitë, bashkëpunimin me partitë tjera dhe krijimin e të ashtuquajturës
“Qeveri nën hije”.

Në këtë intervistë, Krasniqi ka thënë
se këtë krizë e kanë paralajmëruar muaj më parë, por që sipas tij, kjo është
neglizhuar nga Qeveria.

Ai thotë se të njëjtën krizë nuk e
kanë shtet fqinje, për të cilat thotë se kanë ndërmarrë veprime me kohë. Të
njëjtën thotë nuk e ka bërë Qeveria Kurti.

“Krizën Energjetike si Parti Demokratike e Kosovës e kemi paralajmëruar tash e tre muaj dhe jo që kemi qenë të vetmit që e kemi ditur që do të ballafaqohemi por kemi qenë të shqetësuar herët. Për herë të parë kemi lëshuar komunikatë për çështjen e energjisë dhe për çështjen e gaz-përçuesit më 29 shtator, ndërsa më 9 tetor në mënyrë konkrete kemi paralajmëruar problemet të cilat tash po jetojmë, sepse kanë qenë evidente që do të ndodhin, kemi dhënë rekomandimet tona në vazhdimësi se çka duhet të ndërmarrë Qeveria, por që për fat të keq ishte komplet neglizhente”.

“Më vjen keq që sot po përballemi me këtë krizë, por ajo që më vjen më shumë keq është që nuk jemi as në pikun e krizës. Potenciali për t’u përkeqësuar gjërat është shumë i madh, ndërsa vëmendja e Qeverisë është shumë e vogël”.

“Është evidente që kriza e ka goditur
gjithë rajonin dhe Evropën, por shtetet që kanë ndërmarrë masa me kohë, së paku
nga muaji shtator dhe tetor kanë ndërmarrë veprime dhe shembull në fqinjësinë
tonë e kemi Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, ku nuk po ballafaqohen me
telashe sikurse ne, atje nuk ka reduktime të energjisë elektrike, ndërsa tek ne
ato po vazhdojnë dhe po përkeqësohen edhe më shumë”, ka thënë Krasniqi,
teksa ka shtuar se kritika e tij nuk është për krizën, por përgjegjësinë për
mungesë të zgjidhjes.

“Gjendjen emergjente të cilën e
ka shpallur para pak ditësh ka qenë rekomandim i PDK-së së paku 15 ditë më
herët, sepse është dashur që edhe reduktimet e energjisë ta kenë një bazë
legale, por edhe t’i jepet një sërë mundësi dhe lehtësira Qeverisë që ta
trajtojë krizën në mënyrën e duhur”.

“Çka është dashur të bëhet, është
dashur të na dëgjojnë se çka kemi thënë në fillim të tetorit, që Qeveria të
ndihmonte instancat përkatëse për të hyrë në kontrata afatgjate me çmimet e
asaj kohe të cilat edhe atëherë kanë qenë të rritura krahasuara me vitin 2020,
pra është dashur që kontrata të bëhen në atë kohë, të ketë një siguri në
furnizim për sasi të përcaktuara dhe do të kishim mundësi që t’i paguanim me
çmim dy apo tre fish me të mëdha, por jo siç po ndodh kur ka pasur raste që
është paguar pesë fish më shtrenjtë sesa në vitin 2020″, ka thënë tutje
Krasniqi.

Paralajmërimet e PDK-së për një
“Qeveri nën hije”, e sheh si reflektim i asaj sesi do duhej të ishte
Qeveria e Kosovës. Për këtë iniciativë ai thotë se janë duke punuar ekipet për
ta finalizuar konceptin.

“Është një nga projektet dhe
objektivat e mia kryesore edhe në kuptimin e reformës dhe riorganizimit të
PDK-së. Nuk është diçka e re, sepse PDK-ja kabinetin për qeverisje të mirë si
model i Qeverisë në hije e ka konstituuar për herë të parë në vitin 2005-2007,
kur në kohën ishim në opozitë, edhe jam duke punuar bashkë me kolegët e ekipet
tona në finalizimin e konceptit me të cilin do të dalim para opinionit publik
sepse ta keni parasysh, koncepti i kabinetit e ka qeverisjen së mirë dhe
reforma e organizimit të tij do të jetë reflektim i asaj sesi e shohim ne
Qeverinë dhe si besojmë se duhet të jetë Qeveria e Kosovës, dhe deri në fund të
muajit shkurt, ne do të jemi në përfundim të këtij projekti”, ka thënë
Krasniqi.

Ndërsa mundësitë që vendi të shkojë në
zgjedhje këtë vit, Krasniqi sheh të pamundur, për shkak të numrave që i ka
Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend, raporton EO.

“Një gjë duhet ta dini, opozita mirë apo keq nuk e ka mundësinë ta dërgojë vendin në zgjedhje për shkak të numrave që i ka në Kuvend, pra është vetë kryeministri dhe partia ata që mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje dhe deshëm apo jo është irelevante”.

“Ajo që është e nevojshme sot është ndryshimi i kursit dhe mentalitetit Qeverisës sepse kryeministri e ka marrë mandatin e qytetarëve të fuqishëm, ka një mbështetje të madhe dhe ka dominim të plotë në Kuvend për sa i përket deputetëve, dhe unë besoj se ai duhet të merret me Qeverinë dhe me qeverisje, dhe duhet vërtetë që të fillojë t’i përmbush realizimet sepse për fat të keq në vitin e parë të qeverisjes së dytë, nuk ka njëri në Kosovë që mund t’i bind tri punë të mëdha që i ka përfunduar kryeministri Kurti”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka thënë se bashkëpunimi i tyre me partitë tjera opozitare është parimore, teksa shton se nuk kanë krijuar ende ndonjë front të përbashkët opozitarë.

You may also like