Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë, edhe përkundër liberalizimit

by admin
Spread the love

Qytetarët e Kosovës, që bartin pasaporta të Republikës së Kosovës, këtë javë iu gëzuan vendimit të shumëpritur për liberalizim të vizave.

Por, ndonëse vendimi nuk specifikon nëse ndonjë shtet anëtar i Schengenit mund të lirohet nga obligimi për zbatimin e vendimit për liberalizim, megjithatë është një shtet që nuk do ta zbatojë atë.

Është Spanja ajo që nuk i njeh pasaporta e Kosovës, rrjedhimisht vizitat në këtë vend evropian nuk do të lejohen për kosovarët.

Këtë e ka konfirmuar një zëdhënës i Komisionit Evropian, Christian Wigand, gjatë një konference të sotme për media.

“Në mesin e vendeve Schengen, të gjitha përpos njërës, kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizmi i vizave për Kosovën do t’u mundësojë bartëseve të pasaportave të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në të gjitha përpos njërit vend në Schengen”, tha Wigand, raporton Klankosova.tv.

Ai theksoi se njohja e pasaportave mes shteteve është kompetencë e tyre, e jo e Komisionit Evropian.

“Njohja e pasaportave është në fund kompetencë nacionale”, deklaroi Wigand.

Zëdhënësi i KE-së tha po ashtu se nuk e di se çfarë mund të ndodhë nëse një bartës i pasaportës së Kosovës shkon në kufi të Spanjës.

Kujtojmë se Spanja, e cila nuk e njeh shpalljen e pavarësisë së Kosovës, nuk e ka kundërshtuar vendimin për liberalizim të vizave.

Veç Spanjës, janë edhe Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, mirëpo këto të katra i njohin pasaportat e Republikës së Kosovës.

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e Schengenit nga 1 janari i vitit 2024. Thënë këtë, qytetarët kanë të drejtë qëndrimi në ato shtete 2 herë nga 90 ditë brenda vitit.

Zona Schengen aktualisht përbëhet nga 23 shtete anëtare të BE-së, plus katër shtete jashtë BE-së (Lihtenshtajni, Islanda, Norvegjia dhe Zvicra). /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

You may also like