“Kosova është Europë”, Vjosa Osmani mban fjalën në PE dhe citon Rugovën: Shtëpia nuk mbahet pa miq

by admin
Spread the love

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur këtë të mërkurë fjalimin në Parlamentin Europian.

Ajo tha se ka nderin që të jetë presidentja e parë e Kosovës që të mbajë fjalën në PE, ndërsa rikujtoi dhe ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova ku citoi dhe fjalët e tij duke thënë “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.

Mes të tjerash ajo shtoi se vlerat europiane janë futur thellë në indet e popullit të Kosovës dhe po përpiqen ti mbajnë fortë ato.

“Kosova sot është e lirë, e pavarur dhe Kosova sot është flakadan i demokracisë. Lideri ynë vizionar Ibrahim Rugova u nderua nga PE. Kam nderin që të jem presidentja e parë e Kosovës që flas para PE. Faleminderit për kontributin e pamasë që ky institucion ka dhënë për lirinë tonë. Rugova para këtij institucioni tha se ‘Shtëpia nuk mbahet pa miq’.

Jam këtu për shprehur mirënjohjen të popullit të Kosovës për mbështetjen e juaj të palëkundur. Vlerat europiane janë futur thellë në indet e popullit tonë. Ne vazhdojmë të ecim krah përkrah ndërsa luftojmë të ruajmë vlerat tona të përbashkëta. Republika jonë lindi nën himnin e Evropës”, tha Osmani.

Përveç vendosjes së theksit te arritjet dhe sfidat e Kosovës për rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE, Osmani u ndal edhe te lufta në Ukrainë duke nënvizuar se ndodhemi në një moment ku nevojitet unitet mes liderëve të Perëndimit.

“Sfidat morale si ato që shohim me agresionin ndaj Ukrainës nuk kanë nevojë për debate pasi reagimi duhet i menjëhershëm. Uniteti i BE ka qenë i paprecedentë, por që duhet të shkojmë më tej dhe të sigurojmë fitoren e Ukrainës dhe paqen e drejtë.

Ky moment kërkon që liderët të bëhen bashkë dhe të marrin vendime të guximshme. Edhe pse nuk është e lehtë ka nevojë për bashkëpunim më të madh. Duhet të na bashkojnë vlerat. Secili prej nesh duhet të luajë rolin e tij”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se populli i Kosovës e kupton më së miri dhimbjen e popullit Ukrainas, ndaj bëri thirrje që Europa të përkushtohet në mënyrë që Ukraina të fitojë luftën.

“Populli i Kosovës e imagjinon vuajtjen e Ukrainës. Nuk duam ta imagjinojmë humbjen e saj. Kur ne themi që qëndrojmë pranë Ukrainës, e ndjejmë në çdo fije të qenies tonë. 24 shkurti ishte një ditë e zezë për Evropën dhe Ukrainën, por kujtim i jetuar për ne që nuk donim ta përjetonim më. Sot qëndrojmë përkrah Ukrainës. Jemi të përkushtuar për paqe. I detyrohemi Ukrainës, Evropës duhet të dëshmojmë solidaritetin.

Kosova është e gatshme për të bërë gjithçka për të mbështetur Ukrainën. Ishim vendi i parë që vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe gjithnjë kemi kërkuar si të ndihmojmë më shumë”, u shpreh ajo.

Vizita e Osmanit në Strasburg vjen në një kohë tensionesh në veri të Republikës së Kosovës dhe paralajmërimeve për një pako sanksionesh ndaj Kosovës nga BE-ja.

You may also like