Kontakti i famshëm i vitit 1998, ish-arbitri Çekarini: Iuliano-Ronaldo? Duhet të jepja faull në sulm pro Juves…

by admin
Spread the love

Piero Çekarini, arbitri i Juventus-Inter të vitit 1998, ai i polemikave që ende sot e kësaj dite nuk kanë rreshtur ende, rikthehet të flasë për përplasjen Iuliano-Ronaldo dhe e bën atë pikërisht në vigjilje të “Derbit të Italisë”, duke i shtuar edhe më shumë nuancë pikante ndeshjes.

“E përsëris edhe njëherë… Mbrojtësi (Iuliano) ishte në vend, sulmuesi (Ronaldo) po lëvizte… Dhe teksa kanë kaluar gjithë këto vite, kam një peng shumë të madh… Sikur të kisha vërshëllyer faull në sulm, aksioni nuk do të kishte nisur dhe nuk do të kishte pasur në vazhdim të gjitha ato muaj polemika”.

Në intervistën e dhënë për të përditshmen “Repubblica”, ish-arbitri flet edhe për një tjetër Juventus-Inter të shoqëruar me shumë kontestime, ai i sezont 2017-2018, i episodit të famshëm PjaniçRafinja. “Kanë kaluar 6 vite nga atëherë dhe Orsato (arbitri i ndeshjes) nuk ka gjykuar asnjëherë tjetër më një duel mes zikaltërve dhe bardhezinjve. Si ka mundësi kjo?! Është absurditeti më i madh i botës!

Nga kjo pikëpamje mendoj se Italia është rikthyer shumë mbrapa, duke qenë se në 1998-ën, pavarësisht tërmetit që shkaktoi ai episod mes Iulianos dhe Ronaldos, unë e gjykova edhe shumë herë të tjera, në ndeshje tepër të rëndësishme Interin, që në sezonin pasardhës. Ndërsa sivjet më duket çmenduri, që si ka mundësia që mos t’i lejohet Inter-Juve arbitrit më të mirë në botë për momentin, Orsatos?!, – vazhdon Çekarini, i cili e mbyll me idenë e tij për VAR-in.

– Nuk ka dyshim që VAR-i të ndihmon që të korrigjosh gabimin, por sot po përdoret shumë keq. Nuk ka uniformitet në gjykimin e episodeve. Me justifikimin e protokollit, VAR-i ka raste që përdoret dhe ka raste jo, në varësi të rastit, për të mos çuar pastaj në kokë ide të gabuara”, tha Çekarini.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

You may also like