Konfirmohen 103 të vdekur nga shpërthimet e bombave në Iran, SHBA kundërshton dyshimet se pas sulmit qëndron Izraeli

by admin
Spread the love

103 viktima janë konfirmuar deri më tani nga shpërthimet e dy bombave pranë varrit të gjeneralit iranian Qasem Soleimani në katër vjetorin e vrasjes së tij.

Dhjetëra të tjerë u plagosën nga shpërthimet afër xhamisë Saheb al-Zaman në qytetin e Kerman, raportojnë mediat shtetërore të Iranit. Sipas tyre, bomba e parë u shpërthye rreth orës 15:00 me orën lokale, rreth 700 metra nga varrezat e Kopshtit të Dëshmorëve rreth xhamisë Saheb al-Zaman.

Bombardimi i dytë ndodhi rreth 15 minuta më vonë, rreth 1 km larg varrezave.

Guvernatori i provincës Kerman i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Irna se të dy shpërthimet ndodhën jashtë pikave të kontrollit të sigurisë, por nuk ishte e qartë nëse u shpërthyen nga distanca apo ishte sulm vetëvrasës.

Ndërkohë, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, “dy çanta që mbanin bombë” u shpërthyen “me telekomandë”.

Videot e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë trupat në rrugë dhe kaosin e krijuar nga situata e rëndë.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u zotua se “sulmi terrorist” do të përballej me një “përgjigje të ashpër”.

Ndërkohë, në një reagim pas ngjarjes zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë përshirë në shpërthimet që tronditën Iranin dhe as nuk besojnë se në këtë ngjarje është përfshirë Izraeli.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë në asnjë mënyrë, dhe çfarëdo sugjerimi për këtë është qesharak”, tha Matthew Miller të mërkurën në mbrëmje.

Shpërthimet në Iran ndodhën një ditë pasi numri dy i Hamasit, Saleh al-Arouri, u vra nga një sulm i dyshuar izraelit në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.


Top Channel

You may also like