KOMENT – Scholz, Macron dhe Tusk konfirmojnë mbështetjen për Ukrainën

by admin
Spread the love

BERLIN, 16 mars /ATSH-DPA/- Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë janë bashkuar në mbështetjen e tyre për Ukrainën gjatë një samit dje në Berlin.

, por nuk adresuan një pyetje shumë të debatuar nëse trupat evropiane do të dërgoheshin për të luftuar në zonën e luftës.

“Të tre jemi seriozë për mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz pas konsultimeve me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin polak Donald Tusk.

“Më shumë se kurrë, uniteti ynë është forca jonë. Dhe tre shtetet tona, Gjermania, Polonia dhe Franca, kanë një përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim”, tha Scholz.

Macron tha se të tre vendet mbeten të bashkuara dhe energjike kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës.

“Ne ndajmë një bindje: Ukraina ka të bëjë me sigurinë dhe të ardhmen tonë”, tha presidenti francez.

Të tre vendet e NATO-s po furnizojnë Ukrainën me armë për luftën e saj kundër pushtimit të vazhdueshëm rus.

Scholz dhe Macron, megjithatë, janë përplasur kohët e fundit rreth deklaratës së Macron që la të hapur mundësinë e vendosjes së trupave luftarake të NATO-s në Ukrainë, në të ardhmen.

Asnjëri nga liderët nuk e trajtoi dje këtë çështje.

Macron tha se liderët duhet të shqyrtonin të gjitha opsionet për të frenuar presidentin rus Vladimir Putin,  duke përfshirë mundësinë e dërgimit të trupave luftarake në Ukrainë.

Scholz e ka hedhur poshtë kategorikisht këtë mundësi mes shqetësimeve për përshkallëzimin e konfliktit.

“Të dy liderët kanë këndvështrimet e tyre dhe do t’u përmbahen atyre”, tha zëdhënësi i Scholz, Steffen Hebestreit, përpara se kancelari gjerman të priste në Berlin presidentin francez me një shtrëngim duarsh – por jo përqafim.

Scholz, megjithatë foli për sigurimin e më shumë armëve për Ukrainën.

Ai u zotua se do të prokuroheshin më shumë armë për Ukrainën me efekt të menjëhershëm, në të gjithë tregun botëror.

Kancelari gjerman tha gjithashtu se prodhimi i pajisjeve ushtarake do të zgjerohet në bashkëpunim me partnerët në Ukrainë dhe se do të krijohet një koalicion i ri për furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Scholz tha se ndihma për Ukrainën e financuar përmes Bashkimit Evropian do të rritet dhe se vendet evropiane do të përdorin të ardhurat nga asetet e ngrira ruse për të siguruar blerjet e mëtejshme të armëve.

Tusk, nga ana e tij, tha se të tre vendet ishin të gatshme të ofronin gjithçka që ishte e nevojshme për t’u siguruar që situata në Ukrainë të përmirësohej.

Polonia, e cila kufizohet me Ukrainën, është një qendër e rëndësishme për ndihmën ushtarake nga Perëndimi dhe ka pranuar pothuajse 1 milion refugjatë nga fqinji i saj lindor.

Grupi i dialogut për Trekëndëshin e Vajmarit u themelua në gusht 1991 nga ministrat e Jashtëm të atëhershëm Hans-Dietrich Genscher, Roland Dumas dhe Krzysztof Skubiszewski në Weimar, Gjermani.

Formati fillimisht synonte të sillte Poloninë dhe shtetet e tjera të Evropës Lindore më afër Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ndërsa kjo është bërë që atëherë më pak shqetësuese, grupi filloi të takohej më shpesh pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës mbi dy vjet më parë.

Të tre liderët u takuan në shkurt 2022 dhe më pas sërish në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në shkurt 2023. //a.i/.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like