KOMENT – Macron dhe Scholz një marsh më shumë motorit franko-gjerman

by admin
Spread the love

PARIS, 27 tetor /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz treguan dje dëshirën e tyre për t’i dhënë një shtysë të re tandemit franko-gjerman duke luftuar pas një sërë mosmarrëveshjesh dhe e gjitha kjo në sfondin e luftës në Ukrainë dhe reve të zeza që po mblidhen për shkak të gjendjes ekonomike të Evropës.

”Franca dhe Gjermania… përballojnë sfidat së bashku”, shkroi kancelari në Twitter pas takimit në Elysee duke përshëndetur “diskutimet shumë të mira dhe të rëndësishme mbi furnizimet e Evropës me energji, rritjen e çmimeve dhe projektet e përbashkëta të armatimit”.

”Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz diskutuan marrëdhëniet franko-gjermane në një frymë pune shumë të ngushtë, në një afat të mesëm dhe të gjatë”, u theksua gjithashtu në Elysee.

”Ata synojnë të ecin përpara në një axhendë të përbashkët të sovranitetit, riindustrializimit dhe dekarbonizimit në Evropë”, shtoi presidenca franceze në një deklaratë për shtyp.

Dy liderët shkëmbyen mendime për më shumë se tre orë gjatë drekës, përfshirë edhe gjysmë ore kokë më kokë.

Ata riafirmuan lidhjen e tyre për parimin e solidaritetit evropian në çështjet e energjisë si dhe dëshirën e tyre për të forcuar mbrojtjen evropiane dhe bashkëpunimin.

”Grupe pune do të krijohen për energjinë, mbrojtjen dhe inovacionin në mënyrë që të punojmë ngushtë për hapat e ardhshëm”, shtoi një këshilltar presidencial francez.

Gjendja e marrëdhënieve dypalëshe kishte shkaktuar shumë komente ditët e fundit, veçanërisht nga pala franceze.

Fantazi?  

Në samitin e fundit evropian, Emmanuel Macron paralajmëroi Berlinin kundër çdo tundimi për të izoluar veten duke gjykuar se “nuk është mirë për Gjermaninë apo për Evropën”.

Në të dy kryeqytetet, toni është qartësisht ai i qetësimit, edhe nëse secila palë pranon se shumë vështirësi mbeten për t’u kapërcyer.

”Kriza (franko-gjermane – shën. i përkth.) është kryesisht e fantazuar”, tha një burim diplomatik francez.

”Franca është aleatja jonë më i afërt”, këmbëngul qeveria gjermane nga ana tjetër.

Për sa i përket strategjisë për t’u adoptuar përballë çmimeve në rritje të energjisë, energjisë bërthamore apo armatimit evropian, asgjë nuk dukej se po shkonte mirë mes Parisit dhe Berlinit.

Diçka për t’u shqetësuar në Evropë, ku motori franko-gjerman mbetet një forcë kryesore lëvizëse.

Mosmarrëveshjet – veçanërisht për disa projekte të zakonshme industriale, nga avionët luftarakë te tanket e së ardhmes – u përkeqësuan që nga fillimi i ofensivës ruse në Ukrainë.

Kancelari Scholz njoftoi një plan ndihme prej 200 miliardë eurosh për individët dhe bizneset përballë rritjes së çmimeve, veçanërisht të gazit, pas shkurtimeve të dërgesave të vendosura nga Rusia.

Martesë e domosdoshme

Ky plan, i zbatuar pa konsultim me partnerët e tij evropianë, ka shkaktuar keqkuptime të mëdha dhe frikë nga shtrembërimi i konkurrencës në Evropë, tashmë të goditur rëndë nga pasojat e luftës në Ukrainë.

“Ata nuk u treguan solidarë”, thekson një burim i lartë i qeverisë franceze.

Gjermania ka bërë gjithashtu një kthesë 180 gradë në mbrojtje për ta bërë ushtrinë e saj forcën më të mirëpajisur në Evropë.

Berlini po promovon një projekt për një mburojë evropiane kundër raketave, veçanërisht me një komponent izraelit, që konkurron me atë të Parisit dhe Romës.

Për shumë vëzhgues, kjo ndarje është e natyrshme në çdo marrëdhënie ku ndërthuren ambiciet evropiane dhe interesat kombëtare, por nuk është domosdoshmërisht ndaluese.

”Realiteti është një martesë e domosdoshme”, tha një burim diplomatik francez.

“Aktualisht ka tensione midis Francës dhe Gjermanisë, por ato mbeten motori i Evropës. Që Evropa të funksionojë, ky motor duhet të funksionojë”, këmbëngul Stephane Dion, ambasadori kanadez në Paris./ (Nga Valerie Leroux dhe Francesco Fontemaggi) a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like