KOMENT – Evropa përgatitet për kërcënimin për luftë ndërsa mbështet Ukrainën

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 3 prill /ATSH-DPA/- Lufta nuk është më një koncept nga e kaluara, ajo është reale, paralajmëroi kryeministri polak Donald Tusk në një intervistë javën e kaluar.

“Gjëja më shqetësuese është se çdo skenar është i mundur. E di që tingëllon shkatërrues, veçanërisht për brezin e ri, por ne duhet të mësohemi me faktin se një epokë e re ka filluar: epoka e paraluftës”, tha Tusk.

Paralajmërimi i Tusk vjen pasi ushtria polake zbuloi kohët e fundit një raketë ruse që hynte në hapësirën ajrore polake për 39 sekonda më 24 mars. Një shkelje e mëparshme e hapësirës ajrore ndodhi edhe në dhjetor.

Në një intervistë për gazetën britanike “Financial Times”, presidentët e Letonisë dhe Estonisë, Edgars Rinkēvičs dhe Alar Karis, u kërkuan aleatëve të tjerë evropianë të përgatiteshin për një konfrontim të mundshëm të armatosur me Rusinë.

Rinkēvičs dhe Karis u kërkuan vendeve të tjera evropiane që të merrnin në konsideratë gjithçka, nga rekrutimi deri te taksa speciale e mbrojtjes dhe rritja e konsiderueshme e shpenzimeve ushtarake.

Karis tha se SHBA-ja përbënte 68% të të gjitha shpenzimeve të mbrojtjes brenda NATO-s (ose 860 miliardë dollarë) vitin e kaluar krahasuar me 404 miliardë dollarë, shpenzime të anëtarëve evropianë dhe Kanadasë.

“Ne do të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz më 20 mars gjatë një takimi me Tusk dhe presidentin francez Emmanuel Macron, mes mosmarrëveshjeve publike dhe tensioneve midis Gjermanisë dhe aleatëve të saj për mbështetjen për Ukrainën.

Ukraina ka paralajmëruar se rezervat e municioneve po mbarojnë në luftën kundër Rusisë dhe vazhdimisht u kërkon mbështetësve më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, municione, raketa dhe avionë.

Kancelari gjerman nuk u pajtua hapur me deklaratën e Macron se aleatët e NATO-s duhet të lënë të hapur mundësinë e vendosjes së trupave luftarake në Ukrainë në një moment të caktuar në të ardhmen.

Ai theksoi se do të siguronte që NATO të mos përfshihej drejtpërdrejt në luftime.

“Për ta thënë troç: si kancelar gjerman, unë nuk do të dërgoj asnjë ushtar nga Bundeswehr-i ynë në Ukrainë”, tha Scholz.

Udhëheqësi gjerman është vënë nën kritika ndërkombëtare për refuzimin e tij për të dërguar raketa me rreze të gjatë “Taurus” në Ukrainë, për të cilat ai argumenton se do të rrezikonte përshkallëzimin e konfliktit.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like