KMDLNj: Kosova nuk ka pse të merret me Dick Marty, po e luan rolin e Pont Pilatit

by admin
Spread the love

Më në fund u deklarua falsifikuesi i raportit politik të Këshillit të Evropës pas së cilës , me aktivitete zinxhirore , të kurdisura dhe të koordinuara u imponua themelimi i një Gjykate Speciale kundër luftës së UÇK-së dhe bartësve kryesorë të kësaj lufte që tash janë të paraburgosur në Njësinë e Praburgimit në Hagë.

Dick Marty , si Pont Pilati po mundohet t’i lajë duart nga përgjegjësia për arrestimin e ish – presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve sikur edhe atyre që së shpejti do të arrestohen nga kjo Gjykatë njëetnike , si nga mentaliteti i veprimit ashtu edhe veshja me fakte krejtësisht në baza etnike , si të një kategorie të viktimave ashtu edhe të akuzuarve .

Asakush nuk e ka fajsësuar Dick Marty alias Pont Pilati për arrestimin e drejtuesve dhe ish ushtarëve politikë dhe ushtarakë të UÇK-së e pas luftës edhe bartës të posteve më të larta institucionale dhe shtetërore por fajësohet dhe duhet të përgjigjet për një raport që strategjikisht e dëmton Kosovën , qytetarët e saj dhe luftën e drejtë për çlirim ku pika kryesore ishte pohimi se : “ ndaj të ndaluarve në disa lokacione të Shqipërisë janë hequr në mënyrë të kundërligjshme organet e të cilat pastaj janë trafikuar për transplatim në vendet e treta ..”

. Ky spekulim i paramenduar , pa e mbështetur me asnjë fakt e ka vënë Këshillin e Evropës para një akti të kryer siç ishte miratimi i këtij raporti , me këto akuza të pambështetura dhe të tmerrshme pas së cilës themelimi i kësaj Gjykate u shndërrua në çështje teknike.

Nuk është aspak i rëndësishëm pohimi se nuk ka përgjegjësi për arrestimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve sa do të kishte rëndësi të tregojë të vërtetën se e ka manipuluar heqjen e organeve dhe trafikimin për qëllim transplantimi për faktin se kjo akuzë tashmë nuk përmendet në asnjërën nga akuzat e konfirmuara e që e forcon faktin se qëllimi i Dick Martyt ishte materializim i angazhimit të Rusisë dhe Serbisë për ta luftuar politikisht dhe jo vetëm politikisht Kosovën. Tash , çdo përpjekje nga ana e Kosovës që të merret me “ kërcënimet për jetën e Dick Martyt “ është e tepërt dhe e panevojshme .

Është joserioze politikisht që të kërkohen sqarime nga Zvicra për kërcënimet që i bëhen këtij manipuluesi të së vërtetës nga Serbia për faktin se kjo është çështje e brendshme e Zvicres që duhet të zgjidhë me Serbinë. Dick Marty e ka përfunduar misionin në çastin kur e ka dorëzuar një raport politik të sajuar e që pastaj është votuar në Këshillin e Evropës . Është krejtësisht e parëndësishme nëse Dick Marty do të thirret si dëshmitarë në Gjykatën Speciale aq më parë që ai nuk flet asgjë për prapavijën dhe qëllimin e kurdisur të këtij raporti por për kërcënimet që i bëhen nga Serbia .

Dëshmia eventuale para Gjykatës Speciale e që KMDLNj mendon se nuk do të ndodhë , në kontekstin e shpalimit të frikës nga kërcënimet për jetë nga Serbia , pa e sqaruar prapavijën e akuzave dhe motivet që e kanë shtyrë që në raport të fusë heqjen e organeve me qëllim të trafikimit , pa asnjë provë konkrete , përveç se nuk i ndihmon fare të paraburgosurve në Hagë dhe Kosovës , përkundrazi e legjitimon raportin spekulativ të Dick Martyt , Pont Pilatit .

Dick Marty asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është i rrezikuar nga Kosova , mund të rrezikohet nga ndërgjegja e tij dhe mungesës së ndershmërisë profesionale sepse e ka damkosur rëndë Kosovën , qytetarët e saj , UÇK-në dhe luftën çlirimtare , në dobi që vetëm ai e din për ç’arsye , të një shteti që ka bërë krime monstruoze në Kosovë .

Nëse Dick Marty është i gatshëm ta jepë sqarime për akuzat monstruoze në raportin e tij që e ka bërë bashkë me Karla del Ponten , Hose Pablo Barajabar dhe sponsorisuesin që tashmë po e kërcënojnë me jetë BIA dhe Serbia , atëherë do të ishte në interes të Kosovës. Mos e popullarizoni një mashtrues dhe keqbërës që me bindje dhe paramendim ka bërë një raport që sjellë akuza të tmerrshme për heqje të kundërligjshme të organecve e që nuk i ka mbështetur me asnjë fakt dhe të cilat as Gjykata Speciale nuk i përmend në asnjërën aktakuzë të konfirmuar .

Kosova nuk ka përgjegjësi ta ruaj jetën apo shëndetin e një raportuesi të manipuluar apo manipulanti të vetdijshëm që i ka bërë dëme strategjike dhe thuaja të pariparueshme Kosovës , qytetarëve të saj , të lirë , gjysmë të lirë apo që po mbahen në Hagë. Dick Marty nuk e ka hallin për të drejtat e viktimave e as Gjykata Speciale , ndryshe do të kërkonin përgjegjësi për ata që bënë krime në Kosovë kundër civilëve të pafajshëm sepse është e drejtë e njeriut të sigurohet drejtësia për viktimat dhe përgjegjësia për kriminelët , pa bërë asnjë dallim dhe në asnjë bazë !

You may also like