Kievi dhe Moska cak i sulmeve me dronë – Shqip

by admin
Spread the love

Si Kievi, ashtu edhe Moska, ishin cak i sulmeve me dronë gjatë natës të cilat gjerësisht u zmbrapsën nga mbrojtjet ajrore në të dy shtetet, thanë autoritetet më 19 nëntor, duke mos raportuar për viktima.

“Është zmbrapsur një përpjekje nga regjimi i Kievit për të kryer sulm terrorist duke përdorur dron ndaj ndërtesave në Federatën Ruse”, tha përmes një deklarate Ministria ruse e Mbrojtjes.

Sulmet ukrainase me dronë në Moskë ishin të shpeshta gjatë pranverës, para se Ukraina të niste kundërofensivën e saj në qershor, por sulme të tilla kanë qenë të rralla në javët e fundit.

Sipas Ministrisë ruse, droni ukrainas “u shkatërrua nga pajisja e mbrojtjes tonë ajrore… mbi territorin e qarkut urban të Bogorodskit”, në rajonin e Moskës.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha më vonë në Telegram se sulmi i penguar “nuk shkaktoi asnjë dëm apo viktima”.

Ai tha se ekipet emergjente dolën në vendin ku ranë mbetjet e dronit të shkatërruar.

Edhe Kievi është goditur për të dytën natë me radhë nga një breshëri e dronëve Shahed, të prodhimit iranian, që u lëshuan nga forcat ruse, thanë autoritetet lokale. Autoritetet raportuan për “intensifikim” të sulmeve në kryeqytetin ukrainas.

“Për natën e dytë me radhë, armiku ka sulmuar kryeqytetin me dronë”, tha Sergiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit.

Dronët rusë “u lëshuan në disa grupe dhe sulmuan Kievin nga disa drejtime”, tha ai.

Në total, “15 nga 20 dronët e armikut u shkatërruan”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, përmes një deklarate të ndarë.

Megjithatë, sipas Popko nuk raportohet për viktima po për dëme të mëdha.

Një ditë më herët, forcat ajrore ukrainase thanë se rrëzuan 29 nga 38 dronët Shahed të lëshuar nga forcat ruse në Ukrainë. Ky ishte numri më i madh i dronëve i lëshuar nga Moska brenda një dite që nga fundi i shtatorit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se pret që Rusia të intensifikojë sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë së Ukrainës me synim që të lë ukrainasit pa rrymë dhe ngrohje gjatë dimrit, ashtu siç kishte vepruar dimrin e kaluar.

You may also like