KIEV – Udhëheqësit e BE-së diskutojnë perspektivat e Ukrainës në bllok

by admin
Spread the love

KIEV, 16 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë shprehur hapur mbështetjen për dhënien e statusit të kandidatit në BE për Ukrainën gjatë një vizite sot në Kiev.

“Gjermania është në favor të një vendimi pozitiv për Ukrainën”, tha Scholz. Macron u shpreh gjithashtu në favor të dhënies së statusit të vendit kandidat në BE, gjatë një konference për shtyp, në Kiev.

“Ukraina i përket familjes evropiane”, tha ai, gjatë një vizite në kryeqytetin ukrainas së bashku me Macron, kryeministrin Italian, Mario Draghi dhe presidentin rumun, Klaus Iohannis.

Ukraina ka bërë thirrje për një proces të shpejtë të anëtarësimit në BE pas pushtimit rus në fund të shkurtit. Udhëheqësit e BE-se do të marrin një vendim lidhur me kërkesën e Kievit në një samit, javën e ardhshme.

Scholz tha se Moldavia ishte në listën e kandidatëve, ndërsa Iohannis sugjeroi gjithashtu Gjeorgjinë. Të tre vendet kanë rajone separatiste ruse.

“Dhënia e statusit të kandidatit në BE për Ukrainën, Republikën e Moldavisë dhe Gjeorgjisë në Këshillin Evropian javën e ardhshme mbetet çelësi i ndërtimit të një mburoje të fortë dhe të qëndrueshme të vlerave tona”, tha Iohannis.

“Kjo ka të bëjë me kapacitetin tonë për të projektuar sigurinë dhe stabilitetin në fqinjin tonë. Nuk ka kohë për hezitim”, tha ai gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe kolegët e tij të BE-së, në Kiev.

Scholz u shpreh gjithashtu në favor të afrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor me bllokun.

Draghi bëri thirrje gjithashtu për mbështetjen e OKB-së për të mundësuar që anijet të largohen nga portet ukrainase dhe të kalojnë Detin e Zi, aktualisht të bllokuara nga Rusia.

“Kriza humanitare në Ukrainë nuk duhet të shkaktojë një katastrofë globale”, tha Draghi, duke shtuar se Europa tani duhet të tregojë me shumë forcë. Ne duhet ta përballojmë sfidën me guxim”, tha ai. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like