KIEV – Kuleba thirrje për dërgesa të pakufizuara të armëve nga Perëndimi

by admin
Spread the love

KIEV, 8 mars /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të vendit që të furnizojnë Ukrainën me armë të të gjitha llojeve pa kufizime.

“Ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për atë që keni bërë për Ukrainën. Por, strategjia e marrjes së ndihmës për Ukrainën në sasi të vogla nuk funksionon më”, tha sot Kuleba në Vilnius pas një takimi me ministrat e Jashtëm të Francës dhe republikave baltike.

“Ajo që kërkohet është një furnizim i pakufizuar dhe në kohë, i të gjitha llojeve të armëve dhe municioneve për të siguruar që Ukraina të luftojë Rusinë dhe lufta në Evropë të mos përhapet. Duhet ta pranojmë si një realitet të ri se epoka e paqes në Evropë ka përfunduar”, theksoi ai.

Ai vuri në dukje deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron në Paris javën e kaluar, në të cilën presidenti francez nuk përjashtoi dislokimin e trupave tokësore franceze në Ukrainë. Deklarata e Macron u hodh poshtë nga anëtarët e tjerë të NATO-s.

Ministrat e jashtëm të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë mbështetën thirrjen e Kuleba.

“Ne duhet të vendosim ‘vija të kuqe’ për Rusinë, jo për veten tonë. Për të parandaluar fitoren e Rusisë dhe përfundimisht për t’i hapur rrugën fitores së Ukrainës, ne nuk mund të përjashtojmë asnjë formë mbështetjeje për Ukrainën”, tha ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.

Republikat baltike kanë qenë ndër mbështetësit më të vendosur të Ukrainës që nga pushtimi rus në shkurt 2022. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like