Kielini i thotë lamtumirë futbollit të luajtur: Ishe udhëtimi më i bukur, tani jam gati për sfida të reja

by admin
Spread the love

Xhorxho Kielini i jep lamtumirën futbollit të luajtur. Diçka më shumë se pas 48 orëve nga humbja e finales së MLS-së ndaj Kolumbus, mbrojtësi i Los Anxheles FC, por mbi të gjitha ish-kapiteni i Juventusit ka vendosur zyrtarisht që të varë këpucët në gozhdë. 39-vjeçari e konfirmon këtë pak javë edhe nga fundi i kontratës së tij me klubin amerikan dhe tani është gati që të nisë të mendojë se çfarë do të bëjë në të ardhmen.

Fotomontazhi i zgjedhur nga Juventusi për të përshendetur Kielinin

“Ishe udhëtimi më i bukur dhe më intensiv i jetës sime. Ishte gjithçkaja ime. Me ty bëra një rrugëtim unik dhe të paharrueshëm, por tani është momenti që të nisim kapituj të ri, të përballem me sfida të reja dhe të shkruaj të tjera faqe të rëndësishme dhe entuziaste të jetës sime”, ishin fjalët e pakta, por kuptimplota të Xhorxho Kielinit.

Italiani përshëndet duke pasur mbi shpatulla 23 sezone si profesionist, nga të cilat 17 me bluzën e Juventusit, me të cilët koleksionoi 561 ndeshje (i treti në renditjen historike pas Del Pieros e Bufonit) dhe 35 gola të shënuar mes vitit 2005 dhe 2022. Palmaresi i tij flet për 9 tituj kampion radhazi, 5 Kupa Italie dhe 5 Superkupa Italie, të cilave i shtohen edhe 1 tituj kampion në Amerikë, të fituar në fund të vitit 2022.

Ndërkohë, me Kombëtaren e Italisë është ndalur në kuotën 117 prezenca (i pesti i të gjitha kohërave, nga të cilat 22 si kapiten. Mes tyre spikat pa dyshim fitorja e “Euro 2020”, me trofeun e ngritur prej tij si kapiten në qiellin e Londrës. Në të ardhmen e tij, siç ka lënë gjithmonë që të kuptohet, ka një tavolinë dhe një zyrë gati në selinë e Juventusit të cilat e presin. Tifozët e Juventusit do të ishin të lumtur nëse do ta përqafonin edhe si drejtues, duke qenë se Xhorxho Kielini është dhe do të mbetet pa dyshim një legjendë e “zonjës së vjetër” dhe e futbollit italian e botëror.

Madje, shumë zëra nënvizojnë se ai mund ta nisë nga rangjet e ulëta, por që kur në presidencën bardhezi ishte Andrea Anjeli, emri i Xhorxho Kielinit ishte lakuar si presidenti i ardhshëm i Juventusit, një rol që aktualisht i përket Xhanluka Ferreros.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

You may also like