Sikurse sportet e tjera, edhe boksi kosovar do të fillojë aktivitetet sa i përket edicionit të ri 2022/23.
Përveç garave vendore, boksi jonë do të zhvillojë gara edhe në arenën ndërkombëtare, ku tanimë janë konfirmuar disa nga turnetë në të cilët do të marrin pjesë boksierët nga Kosova, përcjell KosovaPress.
Fillimisht, turneu i parë ndërkombëtarë do të jetë në konkurrencën e fermave, ku Donjeta Krasniqi nga data 10 deri më 23 shtator do ta përfaqësojë Kosovën në “Balkan” në Sofje të Bullgarisë.
Po ashtu, krahas Donjetës, me të do të jenë edhe trajnerja, Mariola Sallauka dhe gjyqtari ndërkombëtarë, Latif Demolli.
Pas turneut “Balkan” për femra, Kosova do të jetë pjesëmarrëse edhe në turneun ndërkombëtarë “Mustafa Hajrulahovic Taljan”, ku nga data 19 e deri më 26 shtator katër boksierë nga vendi ynë synojnë rrugën drejt medaljeve.
Lorent Murati, Remzo Mustafiq, Dior Berisha, Taulant Jakupi dhe trajneri Mehmet Haxhani do të marrin pjesë në këtë turne, ku pjesëmarrëse po ashtu janë edhe 15 shtete nga rajoni dhe Evropa.
Krahas dy turneve të lartë-përmendur, Kosova do të marr pjesë edhe në Kampionatin Evropian për junior nga data 23 shtator deri më 2 tetor në Montesilvano në Itali. Aty do të marrin pjesë Rexhep Morina, Luan Morina, selektori Besnik Vranoci dhe gjyqtari Latif Demolli.
Po ashtu, Kosova do të merr pjesë edhe në Kampionatin Evropian për femra me boksieren Donjeta Sadiku, e cila edhe është nënkampione e botës.
Synimi i vetëm nga ky Evropian do të jetë që Donjeta të kurorëzohet me titullin e kampiones së Evropës dhe me medalje të artë si seniore.
Po ashtu, gjatë tërë vitit do të ketë edhe turne të ndryshëm ndërkombëtarë sikurse “Julius Torma Memorial”, Turneu ndërkombëtar – XXII – “Adem Jashari”, Kampionati Botëror për djem e vajza të rinj (Youth) në Spanjë dhe “Turneu ndërkombëtar “Grand Prix” në Kroaci.