Kërcënimi i Putin: Europa do të ngrijë si “bishti i ujkut” gjatë dimrit

by admin
Spread the love

Presidenti Vladimir Putin tha këtë të mërkurë se Rusia do të ndërpresë furnizimin me naftë dhe gaz për Perëndimin, nëse do të vendosen çmime tavan.

Ai u shpreh se Europa do të ngrijë gjatë dimrit si “bishti i ujkut”, duke iu referuar një përralle të famshme ruse.

Putin foli gjatë një forumi për ekonominë në qytetin-port të Vladivostokut. Ai u shpreh se thirrjet e Europës për një çmim tavan për gazin janë një budallallëk dhe do të çonin në rritje edhe më të madhe të çmimit dhe probleme ekonomike në të gjithë Europën.

Putin tha se nuk ka asgjë të pazakontë në këtë pasi sipas tij, është një politikë e përdorur për dekada.

“Vendet e Perëndimit po përpiqen të ruajnë rendin e vjetër botëror, i cili është i dobishëm vetëm për ta. Ata po përpiqen t’i detyrojnë të gjithë të jetojnë sipas rregullave proverbiale që kanë menduar, të cilat i thyejnë rregullisht dhe i ndryshojnë shpesh, sipas nevojave të tyre imediate.”

Putin deklaroi më tej se Rusia po del e fituar dhe jo e humbur nga konflikti në Ukrainë, sepse ajo po hynte në një rrugë të re sovrane që do të rivendoste ndikimin e saj global.

Në një përpjekje për të nënvizuar animin e Rusisë drejt Azisë, Putin, duke folur në Forumin Ekonomik Lindor në qytetin rus të Paqësorit, Vladivostok, u shpreh se Perëndimi po dështon me sanksionet, ndërsa Azia ishte e ardhmja, shkruan Reuters.

“Ne nuk kemi humbur asgjë dhe nuk do të humbim asgjë. Gjithçka që është e panevojshme, e dëmshme dhe gjithçka që na pengon të ecim përpara do të refuzohet”, theksoi ai.

Putin paralajmëroi se cilësia e jetës për evropianët po sakrifikohej për shkak të sanksioneve, ndërsa vendet më të varfra po përballen me krizë ushqimore.

You may also like