KEJPTAUN – Afrika e Jugut: GJND të shqyrtojë planet ofensive tokësore të Izraelit në Rafah

by admin
Spread the love

KEJPTAUN, 13 shkurt /ATSH-DPA/ – Afrika e Jugut paraqiti një kërkesë urgjente në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në Hagë për të shqyrtuar nëse zgjerimi izraelit i operacioneve ushtarake në Rafah është i ligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar.

“Rafahu, në kufi me Egjiptin, është streha e fundit për palestinezët në Gaza”, tha sot qeveria e Afrikës së Jugut në një deklaratë. Kërkesa urgjente është dorëzuar të hënën.

“Afrika e Jugut është e shqetësuar se ofensiva ushtarake në Rafah do të rezultojë në vrasje, dëmtime dhe shkatërrime të mëtejshme në një shkallë të gjerë”, thuhet në deklaratë.

“Kjo do të ishte një shkelje e rëndë dhe e pariparueshme e Konventës së OKB-së për Gjenocidin dhe urdhërit të GJND-së të lëshuar më 26 janar”, tha Afrika e Jugut.

Në përgjigje të një kërkese të Afrikës së Jugut në dhjetor, urdhri i kërkonte Izraelit të parandalonte aktet gjenocidale, por nuk parashikonte që Izraeli t’i jepte fund operacioneve të tij ushtarake në Gaza.

Izraeli hyri në Gaza pas një masakre të paprecedentë në Izrael më 7 tetor, në të cilën u vranë 1200 dhe rreth 240 të tjerë u rrëmbyen nga grupi militant palestinez Hamas dhe ekstremistët e tjerë.

Vendimi i GJND-së ishte një gjetje e ndërmjetme në një proces që pritet të zgjasë me vite. Gjykata nuk ka kompetenca përmbarimore.

Kritikat për një ofensivë tokësore të parashikuar izraelite në Rafah vazhdojnë të rriten, pasi aleatët e vendosur si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Gjermania u shprehën kundër operacionit të madh izraelit në Rafah.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani e quajti përgjigjen e Izraelit ndaj sulmeve terroriste të 7 tetorit “disproporcionale”. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like