Kanadaja shpall gjendje emergjente në provincën e prekur nga vërshimet

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Në provincën kanadeze të Kolumbisë Britanike është shpallur gjendje emergjente, pasi një stuhi e madhe bllokoi rrugë e hekurudha në atë rajon.

Forcat e armatosura janë angazhuar për t’u dalë në ndihmë banorëve të ngujuar, të cilët janë të izoluar që nga fillimi i stuhisë, të dielën në mbrëmje, shkruan BBC.

Kryeministri Justin Trudeau premtoi ndihmë gjatë një vizite në Uashington dhe tha se trupat do të ofrojnë përkrahje në procesin e rindërtimit.

Një grua ka vdekur nga rrëshqitja e dheut dhe dy persona tjerë ende janë të zhdukur. Zyrtarët kanë thënë se kjo fatkeqësi natyrore është shkaktuar nga efektet e ndryshimit të klimës.

Kryeministri rajonal i Kolumbisë Britanike, John Horgan, tha se urdhri për situatë emergjente ka hyrë në fuqi në orën 12 sipas kohës lokale. Ai e bëri të ditur këtë gjatë një konference për gazetarë, të mbajtur të mërkurën.

Ai shtoi se kufizimet në udhëtime do t’ua ndalojnë njerëzve kalimin afër rrugëve të vërshuara dhe do të ofrojnë garanci që mallrat elementare do të arrijnë te komunitetet që kanë nevojë për to.

“Nuk ka asnjë person që nuk është prekur ose që nuk do të preket nga ngjarjet e fundjavës së kaluar. Këto ngjarje po bëhen më të shpeshta për shkak të ndryshimit klimatik të shkaktuar nga njeriu”, tha ai.

You may also like