Kampionia pa stadium për stërvitje dhe për lojë

by admin
Spread the love

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll pas dhjetë ditësh do ta luajë ndeshjen e parë për këtë vit. Përballë do ta ketë Burkina Fason. Ndeshja është caktuar të luhet më 24 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Do të jetë hera e parë që fusha e stadiumit të qytetit në Prishtinë do të shfrytëzohet për ndeshje këtë vit. Ndërkohë klubit Prishtina i duhet të presë edhe disa javë për ta shfrytëzuar fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, që shumë ende e njohin si stadium të Prishtinës.

Katër ndeshjet e këtij viti si vendas, përfshirë edhe atë të Kupës, Prishtina i ka zhvilluar në katër qytete të ndryshme. Ka luajtur në Gjilan, Suharekë, Podujevë dhe në Lipjan.

Prishtina nuk ka mundur ta shfrytëzojë stadiumin “Fadil Vokrri” pasi fusha e tij po ruhet për ndeshje të përfaqësueseve. Po ashtu fusha për shkak të ngarkesës ishte dëmtuar ndjeshëm dhe nga FFK-ja ishte thënë se duhet të intervenohet në të. Një intervenim edhe është bërë.

Te klubi Prishtina nuk e dinë se kur do ta luajnë ndeshjen e radhës në “Fadil Vokrri”.

“Komuna na ka dhënë në shfrytëzim stadiumin deri në vitin 2024. Por, në praktikë po e shihni që janë bërë dy muaj që nuk po luajmë dhe në vazhdimësi po kemi telashe. Po luhen shumë ndeshje të përfaqësueseve, ndeshje të ekipeve të tjera të cilat po e dëmtojnë fushën. Mirëpo neve nuk po na zgjidhin problemin. Prishtina e ka përdorur stadiumin prej vitit 1956, kurse për momentin pas 60 vjetësh funksionimi ne jemi në situatë ku nuk mund t’i luajmë ndeshjet në stadiumin tonë. Nuk dimë kur mund t’i luajmë, nuk kemi zyra të mirëfillta e shumë gjëra të tjera”, ka thënë drejtori i klubit Prishtina, Artan Osmani.

Në fundjavë, Prishtina si vendase ndaj Ulpianës luajti në fushën me bari sintetik në Gjilan. Në Suharekë e ka pritur Gjilanin, kurse ndaj Ballkanit luajti në Podujevë. Për Kupë luajti në Lipjan ndaj Drenicës.

KF Prishtina që prej nisjes së punëve për rinovimin e stadiumit nuk ka gjetur rehati. I ka zhvilluar shpesh ndeshjet si vendase në stadiume të ndryshme. Rinovimi i stadiumit ka përfunduar katër vjet më parë dhe i ka kushtuar shtetit mbi 12 milionë euro.

“Praktikisht kemi ardhur në një situatë e cila na ka çrregulluar funksionimin si klub. Federata ka filluar në rinovimin e tapetit dhe me gjasë nuk është i gatshëm ende. Ne po e shohim që po luajnë klubet e tjera në fusha më të rënduara, mirëpo ne jemi detyruar që të luajmë në cilëndo fushë që e gjejmë të lirë. Faktikisht nuk mund ta zgjedhësh edhe fushën ku të luash, pasi po varet edhe nga orari. Një ditë duhet të luajmë në Gjilan, ditën tjetër në Pejë. Kjo situatë na ka çrregulluar. Mendoj që është koha e fundit që të rregullohet kjo çështje me Komunën si pronare e stadiumit dhe federatën. Duhet të ndërrohet modaliteti në mënyrë që ne të kemi qëndrueshmëri dhe ta përdorim stadiumin në vazhdimësi”, është shprehur Osmani.

Stadiumi është pronë e Komunës së Prishtinës, kurse është rinovuar kryesisht me paratë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Stadiumi menaxhohet përkohësisht nga Federata e Futbollit e Kosovës.

“Fadil Vokrri” është stadiumi i vetëm në Kosovë që plotëson kriteret e UEFA-s për ndeshje ndërkombëtare të përfaqësueses A.

Edhe stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë do të jetë i kategorisë së katërt. Por punët në rinovimin e stadiumit buzë lumit Ibër kanë ngecur. Nuk dihet se kur do të jetë gati stadiumi në Mitrovicë. Kështu që “Fadil Vokrri” do të jetë i ngarkuar edhe në të ardhmen.

Prishtina ka telashe edhe me zhvillimin e stërvitjeve. Së fundi klubi, që llogaritet më i madhi në vend, po paguan për t’u stërvitur në stadiumin e Ramiz Sadikut.

Te Prishtina thonë se nuk është bërë marrëveshja më e mirë e mundshme në mes federatës, komunës dhe klubit.

“Nuk është marrë parasysh që fusha do të jetë e ngarkuar shumë edhe nga përfaqësueset edhe prej ekipeve të tjera dhe ne si klub vendas i kemi bartur pasojat më të mëdha. Po na krijon kosto shtesë, secilën fushë duhet ta paguajmë dhe nuk po kemi shikues. Kjo na kushton edhe në aspektin teknik, profesional dhe në aspektin financiar”, ka thënë Osmani.

Edhe futbollistët thonë se janë lodhur me këtë situatë.

“Stadiumi i plotëson të gjitha kushtet dhe është terreni i mirë për të treguar ndeshje dhe ritëm më të lartë. Ne nuk po luajmë asnjëherë si vendas. Gjithmonë po jemi në udhëtim dhe kjo ndoshta na penalizon pak. Nuk është arsyetim, por shpresoj të kthemi sa më shpejt në stadiumin tonë dhe të fillojmë ta kthejmë Prishtinën aty ku e ka vendin”, ka thënë futbollisti i Prishtinës, Qëndrim Zyba.

Nga FFK-ja nuk janë deklaruar për situatën e Prishtinës, me gjithë kërkesën e KOHËS. Ndërkohë te Prishtina ka edhe telashe të natyrës financiare, që nuk janë të lidhura me stadiumin.

You may also like